Reforma për arsim e ish-kryetarit të Kamenicës, Qendron Kastratit po vazhdon të jetë objekt trajtimi nga Gjykatat. Kastrati ndonëse zgjedhjet Komunale i humbi nga Kadri Rahimaj i VV-së, pikërisht me kartën anti-reformë, e njejta nuk mund të thuhet sa i përket betejës në Gjyqe. Kastrati përveq “fitoreve”, në Kushtetuese, e në instanca të tjera, së fundmi e ka shënuar edhe një “fitore” tjetër në gjyq.
Së fundi, Gjykata Themelore në Prishtinë ka përjashtuar gjyqtaren Anita Nikçi – Morina e po ashtu është marrë edhe vendim për pezullimin e një vendimi të Komunës për shkollat, të cilën po e konteston Kastrati. Gjykat, e ka aprovuar si të bazuar padinë e Kastratit në lidhje me vendimin e datës 29 dhjetor të vitit 2022 për hapjen e shkollës në Busavatë. Çka ndodhi?
Jo vetëm këto të dyja. Padia ishte bërë nga Qëndron Kastrati dhe Parsim Maliqi nga fshati Busavatë, prind. Por ky i fundit, siç thuhet në vendimin e Gjykatës të marrë më datë 16 gusht të këtij viti, kishte vendosur ta tërheq padinë.
Në këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që të vazhdojë procedura me Kastratin, përkundër tërheqjes së Maliqit nga ky rast.
Në lidhje me këtë, Kastrati i ka thënë Nacionales se ka pasur presion nga komuna e Kamenicës dhe Vetëvendosje ndaj prindërve, në mënyre që të tërheqin paditë.
“Komuna e ka kontaktuar prindin që e kemi bo padinë bashkë, dhe këta ka inicu procedurë me më përjashtu prej procesit, gjykata ka vendosë që unë jam palë në proces. E di që iu kanë bë presion prindërve edhe komuna edhe VV-ja, në Kamenicë, në ato fshatra që këta janë detyru me u tëreheq, çka është logjika po e bën padinë vetë e po tërhiqesh.” – tha ai.
Përjashtimi i gjyqtares
Sipas Kastratit, gjyqtarja Anita Nikçi – Morina ka bërë shkelje, dhe më pas, ky kishte bërë kërkesë për përjashtimin e saj.
Në vendimin e këtij muaji, Gjykata konfirmoi përjashtimin e së njëjtës, për të cilën, Kastrati i tha Nacionales se e ka bashkëshort Visar Morinën, kandidat i përkrahur nga VV-ja për kryetar të Gjykatës Kushtetuese.
“Apeli dhe Supremja ia anulojke vendimet dhe i korrigjojke. Kjo kam dyshu që është tendencioze, sepse burri i saj është profesori Visar Morina, kandidat i përkrahur për në Gjykatën Kushtetuese, kur ka qenë edhe Vigan Qorrolli. I ka bërë disa shkelje gjyqtarja, unë kam bërë kërkesë, qysh e ka lajmëru edhe palën tjetër dhe nuk i ka nxjerr vendimet në afat kohor. Është përjashtu gjyqtarja.” – ka thënë ai.
Pezullimi i vendimit
Tutje Gjykata gjithashtu ka vendosur që ta pezulloj vendimin e Komunës, deri në një vendim final të Gjykatës.
Sipas Kastratit, Gjykata ka vendosur para një viti edhe për katër shkolla të tjera, por këto vendime nuk po zbatohen nga kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj.
“Për katër shkolla të tjera, Gjykata ka vendosë para një viti, para një viti është bërë vendim i plotëfuqishëm, dhe kryetari i komunës nuk është t’u e zbatu ende atë vendim. Ish dashtë me u ndjek e m’u denu penalisht.” – i tha ai Nacionales.
Gjykata në arsyetimin e vendimit ndër të tjera thotë: “Gjykata i vlerësoi dhe i përkrahi sit ë drejta dhe të qëndrueshme pretendimet e paditësit se ekzekutimi i vendimit do të cënonte rëndë mirqenien, përkatësisht kapacitet mësim nxënëse të fëmijëve që do të detyroheshit të zhvillonin mësim brenda një situate ku objektivisht do e kishin të pamundur ushtrimin e kompetencave të kurrikulës bazë për shkak të numrit të vogël të nxënësve në klasë.”
Gjykata Kushtetuese i kishte dhënë të drejtë Kastratit po ashtu
Vetëvendosje e kishte fokusuar fushatën parazgjedhore në Kamenicë pikërisht në premtimin për ndaljen e reformës në arsim, duke premtuar se do t’i hapnin shkollat e mbyllura në disa fshatra.
Për këtë, kryetari aktual Rahimaj kishte marrë edhe përkrahjen e ministres së arsimit, Arbërie Nagavci, e cila kishte marrë vendim për hapjen e këtyre shkollave.
Gjykata Kushtetuese këtë vendim e kishte cilësuar si antikushtetues, duke treguar se vendimet e tilla i takojnë pushtetit lokal e jo ministrisë.
Gjithashtu edhe Kushtetuesja e refuzoi kërkesën për masë të përkohëshme.
“Gjykata ka vlerësuar kushtetutshmërinë e Vendimit të 23 prillit 2021 të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (në tekstin e mëtejmë: MASHTI). Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij akti është parashtruar në Gjykatë nga Komuna e Kamenicës bazuar në autorizimet e përcaktuara me paragrafin 4 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar, Gjykata njëzëri vendosi që: (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) Vendimi [nr.01B/24] i 23 prillit 2021 i MASHTI-it, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafët 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2 dhe 3 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (iii) të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme; dhe (iv) të refuzojë kërkesën për tërheqje të kërkesës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.” – thuhej në vendimin e Kushtetueses.