Ministri i Bujqësisë, Faton Peci dje është paraqitur në një video para një objekti të njohur në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Ministri pretendon se objekti në fjalë, i cili është ngjitur me selinë kryesore të AAK-së, është tjetërsuar në pronë private.
Ndaj kësaj video ka reaguar Yll Bogaj, i cili është pronar i objektit.
Ai ka mohuar pretendimet e ministrit Pecil. Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se objekti është pronë e tij dhe jo e Institutit të Bujqësisë.
Pretendimet e ministrit, ai i ka quajtur shantazh publik.
“Videoja shantazhuese e Faton Pecit, është vazhdimësi e shantazhit të tij publik që na është bërë tash e një vit të plotë. Për më tepër, kulmi i çdo gjeje ka qenë dje kur kemi pranuar një “Vendim” të Faton Pecit, i cili në mënyrë krejtësisht arbitrare na kërkon që ta lirojmë pronën tonë legale brenda shtatë ditësh, nën kërcënimin e largimit tonë me forcë nga prona jonë private”.
Tutje, Bogaj ka shkruar se Ministri i Bujqësisë, përmes sulmit po tenton të ndërtojë karierrë të bujshme politike.
“Faton Peci mund të ketë llogaritur se duke sulmuar pronën tonë private, do të ndërtojë karrierë të bujshme politike. Ajo çfarë ne kemi për t’i thënë Faton Pecit, është shumë e thjeshtë. Ai është i “fortë” sepse është pushtet. Ne jemi “të dobët” përballë tij, sepse nuk kemi as pushtet, as forcë, as ide se si të mbrohemi ndaj një pushtetari, përveç ligjit. Por ne jemi në shtëpinë tonë dhe përmes ligjit do të mbrohemi, sepse besojmë se në Kosovë, nuk do të duhej të kishte pushtetarë që janë mbi ligjin.
Ai ka treguar se për këtë çështje e ka paditur ministrinë.
“Për informimin tuaj, ne kemi paditur Ministrinë e Bujqësisë në vitin 2016 për definimin e kufirit pronësor dhe që nga ajo kohë jemi duke pritur shtjellimin e çështjes gjyqësore. Pas shpifjeve të Faton Pecit dhe në mungesë të edukatës bazike për kërkim falje dhe vazhdimësisë së dëmit material dhe moral ndaj integritetit tonë, që ai na ka bërë duke na portretizuar si uzurpatorë, ndaj Faton Pecit kemi ushtruar padi për shpifje”, ka shkruar ai.