Në seancën e shqyrtimit të dytë ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha dhe tre të akuzuarve të tjerë Ekrem Tahiri, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi, mbrojtja ka konsideruar se aktakuza nuk ka mbështetje ligjore.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 1 qershor 2022, të akuzuarit Hoxha, Tahiri, Mustafa dhe Dushi ishin deklaruar të pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Fitim Mustafa, avokati Arber Jashari tha se kjo aktakuzë nuk ka mbështetje ligjore si në aspektin formal, procedural dhe aspektin logjik, duke shtuar se prokuroria nuk ka ofruar ndonjë provë të veçantë që vërteton përgjegjësinë penale, dashjen apo qëllimin e të mbrojturit të tij.
Njëmbëdhjetë net ushqim, muzikë e argëtim në “Prishtina Gastronomy Festival”
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarës Dhurata Hoxha, avokati Florent Latifaj tha se kundërshtimet e tij i ka paraqitur me shkrim dhe se qëndron pranë të njëjtave kundërshtime.
Tutje, mbrojtësja e të akuzuarit Gëzim Dushi, avokatja Kosovare Kelmendi i mbështeti deklarimet e avokatëve të tjerë duke shtuar se mbetet në tërësi pranë kërkesës për hudhje të aktakuzës të dorëzuar me shkrim.
Ajo tha se mbrojtja ka bashkangjitur një mori provash shfajësuese të cilat prova sipas saj vërtetojnë pafajësinë e të akuzuarit Dushi dhe njëkohësisht demantojnë pretendimet ndaj tij.
“Unë i propozoj përfundimisht gjykatës që me një analizë të thuktë të të gjitha provave të dorëzuara dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe të njëjtën aktakuzë ta refuzoj si të pa bazuar sepse konsideroj se nuk meriton të kalojë pragun përtej këtij shqyrtimi të dytë”, shtoi Kelmendi.
Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Ekrem Tahiri, avokati Driton Muharremi, deklaroi se mbetet në tërësi pranë kërkesës për hudhje të aktakuzës, duke kundërshtuar përgjigjen e prokurores e cila tha se është vetëm përshkrim i dispozitave të procedurës penale e jo një përgjigje në pretendimet e tyre.
Ndërsa, prokurorja speciale Iliriana Çollaku-Tafa tha se mbetet në tërësi pranë përgjigjes në kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave të paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve të dorëzuara në gjykatë.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) përmes aktakuzës të ngritur ndaj ish- ministres Hoxha po pretendon se e njëjta keqpërdori detyrën zyrtare si ministre, nën dyshimin se kishte përdorë kontratën e MIE-së për të promovuar fushatën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, përderisa kjo kontratë shërbente për të informuar qytetarët rreth procesit të liberalizimit të vizave.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila është ngritur më 12 maj 2022, Dhurata Hoxha ngarkohet se në cilësinë e ministres së MIE-së kishte nënshkruar kontratën për Shërbime të Informimit Publik për nevoja të MIE dhe operatorin ekonomik “PR Solution”.
Në aktakuzë thuhet se edhe pse ky aktivitet i prokurimit kishte qëllim të informonte qytetarët për procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëveshjen e stabilizim-asocimit (MSA), e pandehura Hoxha në kundërshtim me ligjin, si ministre kishte shfrytëzuar këtë duke promovuar fushatën e saj zgjedhore si deputete në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019.
Tutje thuhet se promovimi ishte realizuar me publikimin e banerëve, videove që vinin në pah të pandehurën Hoxha, e në kundërshtim me parimet dhe kushtet e kësaj kontrate, duke i mundësuar të pandehurës përfitim të padrejtë në dëm të buxhetit të Kosovës, në shumën prej 143 mijë e 447 euro e 80 centë.
I pandehuri Fitim Mustafa akuzohet se në cilësinë e zyrtarit përgjegjës i Prokurimit të MIE-së, me dashje kishte keqpërdoruar detyrën zyrtare pasi kishte kontraktuar dy operatorë ekonomikë, “PR Solution” dhe N.Sh “2B”, të përzgjedhur fillimisht nga Komisioni i Vlerësimit si OE që kishin plotësuar kriteret sipas dosjes së tenderit për aktivitetin e prokurimit “Kontrata për shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, duke e vënë kriter shtesë të papërcaktuar në dosje të tenderit, e duke ndikuar kështu në mënyrë të kundërligjshme të eliminohet OE, i cili kishte ofruar çmimin për rreth 192 mijë e 700 euro më të ulët në një tender me kriter çmimin më të ulët, ndërsa me kontratën në fjalë të shpërblehej OE “PR Solution”.
Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Mustafa ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414, par.2 të Kodit Penal.
I pandehuri Gëzim Dushi akuzohet se në cilësinë e zyrtarit për komunikim dhe informim në MIE, në periudhën kohore gusht 2019- janar 2020, duke qenë menaxher i kontratës: “Shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, me dashje nuk kishte zbatuar dispozitat ligjore për menaxhimin e drejtë të kësaj kontrate, me qëllim që të përfitonte e pandehura Dhurata Hoxha.
Sipas aktakuzës, i pandehuri kishte lejuar të pranoheshin shërbimet dhe të kryheshin pagesa edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e pranuara nuk ishin shërbime konform kushteve të kontratës dhe se ishte në dijeni se shërbimet e pranuara që përfshinin publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që vënin në pah të pandehurën Dhurata Hoxha për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, në të cilat kishte kandiduar edhe e pandehura Hoxha.
Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414, par.2 të KPRK-së.
I pandehuri Ekrem Tahiri ngarkohet se nga muaji gusht deri në tetor 2019 në cilësi të bashkëpronarit dhe drejtorit të kompanisë “PR Solution” Shpk, kompania e të cilit kishte hyrë kontratë me MIE me qëllim të informimit të qytetarëve rreth proceseve të ndryshme të veprimtarisë së MIE-së, me dashje nuk i kishte kryer në përputhje me kontratën edhe pse ishe në dijeni se shërbimet e kryera nuk ishin shërbimet të ofruara konform kushteve të kontratës sipas dosjes së tenderit.
Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ndërsa Prokuroria ka pushuar hetimet ndaj tij për veprën penale të mashtrimit.
Prokuroria Speciale ka kërkuar që të pandehurve Dhurata Hoxha, Gëzim Dushi dhe Fitim Mustafa t’iu ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratës publike.Kurse, ndaj secilit të pandehur ka kërkuar nga gjykata të shqiptojë dënimin plotësues urdhrin për kompensimin e dëmit të buxhetit të Kosovës.
Ndryshe, Hoxha për akuza për korrupsion është duke u akuzuar edhe një rast tjetër.