Deputetja e LDK-së: Qeveria Kurti ka dështuar në çdo aspekt, po i mashtron 51 për qind të qytetarëve që i besuan

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi thotë se kryeministri Albin Kurti para se të shkojë në takime të tjera, duhet të pres homologun e tij shqiptar, Edi Rama.

Kështu shprehet ajo, teksa komenton vizitën e shefit ekzekutiv në Athinë dhe mos përmendjen e Kosovës nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) shton se video e Kurtit teksa shtrëngon duart me të parin e Ukrainës, është sikurse videot e tjera “për t’u hedhur hi syve” ndërsa vlerëson se politika e jashtme ka stagnuar prandaj do të thërrasë në raportim ministren e Jashtme, Donika Gërvalla.

Krasniqi konsideron se qeveria aktuale ka dështuar në çdo aspekt dhe se po mashtron 51 për qind të qytetarëve që i besuan Lëvizjes Vetëvendosje në shkurt të vitit 2021.

Grupi punues i ngritur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal pritet që edhe pak ditë të finalizojë hartimin e udhëzimit administrativ që iu mundëson qytetarëve nisjen e peticionit për largimin e kryetarëve nga komunat veriore dhe t’i hapet rrugë zgjedhjeve të reja, si pjesë e masave për depërshkallëzim të plotë të situatës në veri.

Me këtë nuk po pajtohet deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku thekson se kryetarët në veri duhet të japin dorëheqje.

Krasniqi kritikon edhe punën e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, të cilën thotë se do e ftojë në raportim me fillimin e sesionit vjeshtor.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi konsideron se nuk ka pasur transparencë në procesin e dialogut dhe as për marrëveshjen e arritur në Bratislavë.

Në Bratislavë të Sllovakisë, në fillim të muajit korrik, kryenegociatori Besnik Bislimi bëri të ditur se është pajtuar me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Ky dakordim përcakton hapat për depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës. /KP/