Borell kthehet nga pushimi, po punohet për takimin Kurti-Vuçiq

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, më 20 korrik kishte filluar pushimin e tij të verës, duke e lënë kështu në pauzë për pak kohë edhe procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë muaji shtator pritet të kthejë tempon në procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Borell do të rikthehet në zyrë në shtator, ndërkohë veçse është filluar të flitet për përgatitjet dhe një takim të mundshëm të nivelit të lartë në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic.

Këtë e kanë konfirmuar edhe emisari sllovak, Miroslav Lajcak dhe kryeministri Albin Kurti pas takimit që kanë pasur dje në Bled të Sllovenisë. Emisari sllovak ka përmendur muajin shtator.

“Patëm një takim të rëndësishëm me kryeministrin Albin Kurti sot në Bled. Temat kryesore të diskutimit ishin përgatitjet për takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut në shtator me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës së 3 qershorit të Bashkimit Evropian”, ka shkruar Lajcak.

Edhe kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se në takimin me emisarin sllovak kanë diskutuar për mundësinë e takimit të radhës të nivelit të lartë në Bruksel për zbatimin e Marrëveshjes Themelore.

Më 19 korrik në Bruksel kishte qëndruar zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili ishte takuar me emisarin sllovak, Miroslav Lajcak.

Bislimi kishte treguar se pse s’kishte pasur një takim trepalësh në Bruksel, meqë ishte i pranishëm edhe Petar Petkovic.

Numri dy i qeverisë së Kosovës kishte thënë se ishte qëndrim i Lajcak që një takim i tillë jo domosdoshmërisht do të kishte kontribuar në finalizimin e dokumentit të sekuencimit për zbatimin e Marrëvehsjes bazike dhe se për një gjë të tillë kërkohet një takim i nivelit të lartë Kurti-Vuçiq.

“Ka qenë si duket qëndrim i Lajcakut, që në këtë moment takimi trepalësh jo domosdoshmërisht kish kontribu në finalizimin e dokumentit, spese menodjnë që ka nevojë për para koordinim shtesë para se kjo të ndodhë. Madje ka ide që plani i sekuencimit kërkon takim të nivelit të lartë, sipas tij, sepse qartazi kryenegociatorët s’mund ta përfundojnë këtë proces në mënyrë të suksesshme. Mendoj që ka të bëjë edhe me atë se në ç’masë kryenegociatorët kanë autoritet për të negociuar diçka deri në fazën finale”, kishte deklaruar Bislimi pas takimit me Lajcak në Bruksel.