“Tensionimi” me Francën: Ministrja franceze s’e takoi Gërvallën, në Kosovë Osmani “kërcënoi” Macronin

Ashtu edhe siç kishte paralajmëruar Ministria e Punëve të Jashtme e Francës, kryediplomatja Donika Gërvalla ishte e vetmja që ministrja për Evropë, Laurence Boone, s’e takoi gjatë qëndrimit në Slloveni, ku morën pjesë në Forumin e Bledit.

Një ditë më pas, bashkëpunëtorja e Gërvalles, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do ta “kërcënonte” presidentin francez, Emmanuel Macron. Çka ndodhi?

Nacionale gjatë së premtes raportoi mbi një komunikatë të MPJ-së franceze ku tregohej agjenda e ministres Boone për Forumin e Bledit. Gërvalla, mungonte në listën e takimeve të saj.

Në këtë listë, mungonte edhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili mban pozitën edhe si kryeministër në detyrë.

Takimet u zhvilluan

Boone në rrjetin social Twitter ka shkuar në lidhje me takimet që mbajti në Forumin e Bledit, me ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Fillimisht, ajo takoi Bujar Osmanin, ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut. Boone, u takua edhe me zëvendësministren e Jashtme të Shqipërisë, Megi Fino, derisa shtetin shqiptar e quajti “miqësor dhe vend partner”.

Ministrja franceze zhvilloi takim edhe me Elmedin Konakoviq, ministër i Jashtëm i Bosnje dhe Hercegovinës, e krejt në fund, edhe me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

Pas takimit me këtë të fundit, ajo deklaroi se e ka “siguruar” Daçiqin për përkrahjen e Francës drejt integrimit.

“Inkurajova autoritet serbe që të ndjekin reformat e nevojshme dhe të përkushtohen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.” – tha ajo përmes një shkrimi në Twitter.

Ndonëse përveç Gërvallës, në këtë forum mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, ministrja franceze s’i takoi asnjërin.

Nuk dihen arsyet se pse nuk është zhvilluar një takim i tillë. Nacionale i është drejtuar me pyetje Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francez, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti, nuk kemi marrë përgjigje.

Por, vlen të theksohet se pjesë e masave të Bashkimit Evropian të vendosura kundër Kosovës, janë edhe anulimet e takimeve të nivelit të lartë, përveç atyre që kanë të bëjnë të bëjnë me dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Kërcënimi” i presidentes Osmani

Një deklaratë e dhënë të mërkurën nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, themeluese e partisë “Guxo”, ku Gërvalla tash është kryetare, u konsiderua si “kërcënim” ndaj presidentit francez, Emmanuel Macron.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ditë më parë në fjalimin e tij para ambasadorëve, ka folur edhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ku ndër të tjera ka paralajmëruar masa ndaj palëve nëse nuk veprojnë me përgjegjësi.

Ai madje, si masë përmendi edhe pezullimin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Ne presim që paqja do të kthehet në këtë pjesë. Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi. Duhet të jemi vigjilentë veçanërisht në këtë aspekt, veçanërisht kur bëhet fjalë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.” – ka thënë ai.

Osmani më pas, ka bërë një paralajmërim të ashpër dhe kërcënues se nëse merret një masë e tillë do të ketë “vdekje të dialogut” dhe kjo është deklarata e parë zyrtare e Kosovës në raport me ketë çështje.

“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet.” – u shpreh Osmani.