Osmani: Kam identitetin tim, nuk merr askush vendime për mua, as Mustafa as Kurti

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka konsideruar akuzat mbi identitetin e saj politik si seksiste.

E ftuar në “Top Story”, Osmani theksoi se askush nuk ka marrë vendime për të, as Isa Mustafa kur ishte pjesë e LDK-së dhe as Albin Kurti.
“Mua më vjen mirë që kemi koordinim si Kryeministër dhe Presidente në këtë rast, sepse kjo është në të mirë të Kosovës. Kjo nuk është nënshtrim as i Presidentes në raport me Kryeministrin as i Kryeministrit në raport me Presidenten”– tha Osmani duke shtuar se diçka e tillë nuk mund të nodhë.
Osmani rrëfeu se modeli i saj politik është ish-Presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova.

“Ndoshta edhe politikanë të tjerë në hapësirën mbarë shqiptare mund ta marrin si model për mënyrën se si arriti, në kohën kur Kosova nuk ishte shtet, kur ishim të okupuar dhe askush nuk e dinte që ekzistonim, të ndërtojë aq shumë miqësi dhe aleanca që në fund na shpëtuan jetën”- tha Osmani.