Kanë përfunduar procedurat për hartimin e Udhëzimit Administrativ i cili i hap rrugë zgjedhjeve në veri të vendit.
Zgjedhjet që pritet të mbahen në katër komunat veriore do të mbahen pasi të shkarkohen kryetarët aktual përmes peticionit.
Këtë e bëri të ditur ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.
Sipas tij, udhëzimi ka për qëllim përcaktimin e procedurës së inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, në pajtim me Ligjin Nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale.
“Pjesë e diskutimeve, punës dhe konsultimeve profesionale e edhe e grupit punues kanë qenë institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare.
Për këtë çështje marrë parasysh që është hera e parë që trajtohet me rregullim normativ ka pasur shumë komente dhe sugjerime. Të gjitha janë trajtuar dhe pjesa më përmbajtësore janë adresuar”, ka thënë Krasniqi.
Tutje sipas tij, ky udhëzim jep mundësinë e zbatimit praktik të një të drejtë të garantuar nga ligji për vetëqeverisje lokale. E drejtë kjo që siguron ushtrimin e vullnetit qytetar në raport me Kryetarin e Komunës, të cilin e zgjedhin drejtpërdrejtë vetë qytetarët.