Kurti në 24-vjetorin e Policisë: Në qeverisjen tonë u shkatërruan 100 grupe kriminale dhe u konfiskuan mbi 2.200 kg drogë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar me rastin e 24-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se që nga gjenerata e parë policore, Policia ka shërbyer për të gjithë qytetarët duke mbrojtur jetën dhe pronën e tyre dhe duke ruajtur sovranitetin e vendit.

Tutje kreu i ekzekutivit ka përmendur edhe sukseset e Policisë nën qeverisjen e tij, duke thënë se janë realizuar mbi 1 mijë e 100 operacione, janë shkatërruar 100 grupe kriminale dhe 16 laboratorë droge dhe janë konfiskuar 2 mijë e 200 substancë narkotike.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi zotuar për luftim të krimit, korrupsionit dhe çdo ilegaliteti që cënon sigurinë e vendit tonë e të qytetarëve tanë dhe jam mirënjohës që në këtë rrugëtim prej më shumë se dy vitesh, kemi arritur suksese falë zyrtarëve policor të përkushtuar e profesional në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Mbi 1100 operacione të realizuara, 100 grupe kriminale të shkatërruara, mbi 2.200 kg substance narkotike të konfiskuara, 16 laboratorë të drogës të shkatërruar, janë suksese që Policinë e Kosovës e kanë renditur ndër institucionet më të besueshme për qytetarët tanë ndërsa Republikën tonë e kanë ngritur në listat e shteteve serioze e të përkushtuara për luftimin e kriminalitetit”, shkroi Kurti.