Haradinaj me apel pasi vdiqën 5 persona: Policia të jetë e pakompromis ndaj atyre që shkelin rregullat

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në komunikacion për kujdes të shtuar dhe respektim të rregullave, pasi pesë persona vdiqën në 24 orët e fundit.

Haradinaj, gjithashtu apeloi te Policia e Kosovës që të jenë të pakompromis ndaj atyre që shkelin rregullat e komunikacionit.

“Mos e humbni jetën dhe mos i merrni jetën askujt në komunikacion. Me shqetësim dhe dhimbje të thellë po i përcjell lajmet për tragjeditë në komunikacion, të cilat rezultuan me humbje jete, fatkeqësisht. Apeloj te çdo pjesëmarrës në komunikacion për kujdes të shtuar dhe respektim të rregullave. Nuk është vetëm jeta juaj në lojë, por edhe jeta e të tjerëve!”.

“Apeloj Policinë e Kosovës të jenë vigjilent dhe të pakompromis ndaj atyre që shkelin rregullat e komunikacionit dhe sigurinë. Bashkëndjejmë me familjet e viktimave, lutemi për shërim sa më të shpejt të të lënduarve!”.