Kurti: Buxheti i komunave për vitin 2024 arrin në 742 milionë euro

Gjatë ditës së sotme në objektin e Qeverisë është zhvilluar takimi i radhës midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarët e komunave të Kosovës.

Në fjalën e tij para kryetarëve të komunave të Kosovës, Kurti iu premtoi kryetarëve se në vitin e ardhshëm granti i përgjithshëm për komunat do të jetë rreth 250 milionë euro.

Sipas Kurtit kjo është vlerë rekorde si asnjëherë më parë.

“Buxheti i komunave për vitin 2024 arrin në 742 milionë euro. Po bëhet viti i dytë radhazi që rritja e buxhetit është në përqindje dyshifrore krahasuar me vitin paraprak. Në vlerë absolute buxheti i vitit 2024 është për gati 90 milionë euro më i lartë krahasuar me vitin 2023, kurse nga fillimi i mandatit për tri vite buxheti vjetor i komunave është rritur për 195 milionë euro më shumë. Investimet kapitale nga ministritë e linjës në komuna përfshijnë autostrada, përmirësim të infrastrukturës në qendër dhe rrugë të reja, ndriçim publik, investime në energji efiçiente, parqe, hapësira të gjelbra, shkolla për nxënësit dhe shtëpi për personat me kushte të vështira financiare. Këto investime përfshijnë të gjitha komunat dhe pa përjashtuar asnjë zonë dhe diskriminuar asnjë komunitet. Granti i përgjithshëm për komuna për vitin 2024 kap shumën prej 284.7 milionë euro, e që paraqet vlerën më të madhe ndonjëherë për këtë grant. Kjo vlerë rekorde e grantit të përgjithshëm vjen si rezultat i rritjes së të hyrave në buxhetin e shtetit”, tha ai.

Po ashtu në këtë takim u diskutua edhe për organizimin e lojërave mesdhetare “Prishtina 2030”, ku Kurti u shpreh se komunat do të përfitojnë shumë investime.

“Komunat tona përveç që kanë mundësitë që të dëshmojnë traditën tonë si nikoqir të mirë dhe përfitojnë edhe shumë investime të cilat vijnë nga organizimi i lojërave mesdhetare ‘Prishtina 2030’”, tha Kurti.

Në anën tjetër, kritik karshi ekzekutivit u shpreh kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu.

Aliu i cili është edhe kryetar i Komunës së Ferizajt, tha se qeveria duhet të ndryshojë qasjen komunikuese ndaj nivelit lokal