“Sulmi terrorist në Banjskë mund të përsëritet”

Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, ka vazhduar të shpjegojë sulmin terrorist të ndodhur më 24 shtator, ku në detyrë ra një polic i Kosovës dhe mbetën të vrarë tre terrorist. Në lidhje me këtë temë, ai së fundmi ka dhënë një intervistë në televizioni “Syri” të Shqipërisë, ku ka treguar se atë ditë në Kosovë ishin deri në 90-të terroristë. Madje, Sveçla ka deklaruar se të tillë skenar nuk përjashtohen se mund të përsëriten. Çfarë tha ministri Sveçla?

Duke folur për synimet e grupit terrorist, Sveçla vlerësoi se qëllimi i grupit ishte hapja e një korridori në dy komuna, atë të Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit.

“Ai jo vetëm se shpërtoi dhjetra e dhjetra jetë të kolegëve të tij por shpëtoi Kosovën nga një skenar shumë ogurzi. Ne kemi shumë informata që zbardhin skenarin e Serbisë në 24 shtator, kishte diku deri në 90 terrorist të cilët u futën me armatime të rënda në republikën e Kosovës dhe planifikuan të realizojnë një korridor mes republikës së Serbisë dhe dy komunave, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit.” – theksoi ai.

Tutje, Sveçla tregoi se grupi terrorist, të cilin e udhëhiqte Milan Radojiçiq, që dyshohet edhe për dy vepra të tjera penale në Kosovë, kishte edhe uniforma të KFOR-it.

“Për këtë neve kemi dëshmi edhe të fletëpranimeve, fletëdorëzimeve të këtyre armëve dhe dukeqënëse ky plan përfshinte edhe një element jashtëzakonisht të rrezikshëm ai ishte se disa nga veturat, nga 30 që u futën në Kosovë kishin stikers me shenjën e KFOR-it , kishin edhe uniforma të KFOR-it italian dhe kishin diku rreth 24 armë me silenciator që do të thotë se ata ishin të gatshëm të maskoheshin si pjesëtarë të KFOR-it dhe të ekzekutonin pjesëtarët e policisë, me ç’rast tensioniet do të rriteshin në një pikë ku realisht nuk do të dij se kush në kë po shtie.” – shtoi Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme e dha edhe një paralajmërim, duke thënë se skenare të tilla nuk përjashtohen se mund të ndodhin sërish.

“Ky skenar nuk përjashtohet se do të përsëritet. Fatmirësisht ata u ndanë jashtëzakonisht keq pas reagimit jashtëzakonisht profesional të policisë së Kosovës dhe kjo i jep shpresën se ata janë dëmtuar aq sa mos të provojnë sërish, por Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe qeverisë së tij nuk i zihet besë asesi.” – deklaroi tutje Sveçla.