Komandanti i KFOR-it: Ndaluam eskalimin në Banjskë, Kosova e Serbia të angazhohen në dialog

Angelo Michele Ristuccia, komandat i KFOR-it, ka folur sërish për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku ra në krye të detyrës një polic kosovar dhe mbetën të vrarë tre terroristë. Në prononcimin e tij, Ristuccia ka theksuar se KFOR-i ka ndaluar që ngjarjet në veri të eskalonin në një situatë më të rëndë.

Tutje, ai ka treguar se ka pasur një komunikim të ngjeshur me shumë palë ditën e sulmit terrorist në Banjskë.

“Pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, Policia e Kosovës ka ndërhyrë si reaguese e parë, duke reaguar në përputhje me përgjegjësitë e veta ligjzbatuese. Prania e trupave të KFOR-it në atë zonë ndaloi që ngjarjet të eskalojnë në një situatë më të rëndë. Kam qenë në kontakt të rregullt me ​​të gjithë kolegët e mi relevant, përfshirë EULEX-in, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe organizatave të sigurisë së Kosovës, si dhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe.”deklaroi ai për Kosovo-Online.

Tutje, ai ka ripërsëritur kërkesën që palët, pra Kosova e Serbia, të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“KFOR-i mbetet plotësisht i përkushtuar në zbatimin e mandatit të tij, në mënyrë të paanshme, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, me qëllim që të ruajë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. KFOR nuk kryen aktivitete të zbatimit të ligjit, që është detyrë ekskluzive e Policisë së Kosovës, e cila vepron si reaguese e parë. Këto aktivitete monitorohen nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), si përgjegjës i dytë. KFOR është reaguesi i tretë. Në dritën e ngjarjeve të fundit, KFOR ka shtuar praninë dhe aktivitetet e tij në veri të Kosovës. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e hapura dhe për të gjetur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Kjo është thelbësore për sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetin në rajon.” – shtoi Ristuccia.

Ndryshe, për sulmin terrorist në Banjskë, mbrëmë sërish ka folur Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme i Kosovës. Në një intervistë në televizioni “Syri” të Shqipërisë, ku ka treguar se atë ditë në Kosovë ishin deri në 90-të terroristë.

Duke folur për synimet e grupit terrorist, Sveçla vlerësoi se qëllimi i grupit ishte hapja e një korridori në dy komuna, atë të Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit.

“Ai jo vetëm se shpërtoi dhjetra e dhjetra jetë të kolegëve të tij por shpëtoi Kosovën nga një skenar shumë ogurzi. Ne kemi shumë informata që zbardhin skenarin e Serbisë në 24 shtator, kishte diku deri në 90 terrorist të cilët u futën me armatime të rënda në republikën e Kosovës dhe planifikuan të realizojnë një korridor mes republikës së Serbisë dhe dy komunave, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit.” – theksoi ai.

Sveçla dha edhe një paralajmërim, duke thënë se skenare të tilla nuk përjashtohen se mund të ndodhin sërish.

“Ky skenar nuk përjashtohet se do të përsëritet. Fatmirësisht ata u ndanë jashtëzakonisht keq pas reagimit jashtëzakonisht profesional të policisë së Kosovës dhe kjo i jep shpresën se ata janë dëmtuar aq sa mos të provojnë sërish, por Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe qeverisë së tij nuk i zihet besë asesi.” – deklaroi tutje Sveçla./Nacionale