Një projektrezolutë e Kuvendit të Kosovës parasheh ndarjen e mjeteve të nevojshme financiare për pagesën e shtesës së rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës, dhe atë në mënyrë retroaktive.
Pagat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë e deri në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Radio Evropa e Lirë ka përgatitur një grafikë ku janë të publikuara pagat e zyrtarëve policorë.
Kuvendi i Kosovës sot mban një seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të shqyrtohet propozim-rezoluta për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.
Seanca e cila është paraparë të nisë në orën 11:00, është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës.
Kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi, të mërkurën ka shkruar në Facebook se forcimi dhe mbështetja e Policisë duhet të jetë prioritet shtetëror, e kjo sipas tij, duhet të bëhet nëpërmjet votimit në Kuvend.
“Kemi thirrur seancë të jashtëzakonshme për ta miratuar këtë Rezolutë. Policët tonë meritojnë shtesat për rrezikshmërinë, sigurimin shëndetësor dhe miratimin e Ligjit për pensionim të parakohshëm. I ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që nesër, me votën e tyre, të dëshmojnë se e mbështesin dhe janë me Policinë e Kosovës – sepse vetëm fjalët dhe postimet në rrjetet sociale nuk mjaftojnë”, ka shkruar ai.