Parlamenti Evropian miraton rezolutën për sulmin terrorist në Banjskë

Parlamenti Evropian të enjten ka miratuar rezolutën me të cilën dënon sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Në rezolutë, sulmi cilësohet terrorist dhe do të kërkojë përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje.

Kjo rezolutë është iniciuar nga grupi politik i socialdemokratëve në PE, pasi situatën në Kosovë e vlerësojnë si “jashtëzakonisht shqetësuese”.

Përmes rezolutës së PE-së u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të veprojnë në uljen e tensioneve, të përmbahen nga retorika apo veprimet që mund të rrisin tensionet dhe të veprojnë në zbardhjen e të gjitha fakteve lidhur me sulmin në Banjskë.

PE-ja, përmes draft-rezolutës, po ashtu dënon edhe rritjen e pranisë së ushtrisë serbe në afërsi të kufirit të Kosovës dhe kërkon nga Serbia që të përmbahet nga mbështetja e çfarëdo grupi terrorist në veri të Kosovës në të ardhmen.

Po ashtu, kritikohet edhe ajo që cilësohet si gjuhë e ashpër nxitëse që përdoret në Serbi për Kosovën dhe shqiptarët, që sipas eurodeputetëve nxit tensionet.

Në disa pika të kësaj rezolute shprehet keqardhje për sjelljen e autoriteteve të Serbisë, të udhëhequra nga presidenti Aleksandar Vuçiq, që sipas eurodeputetëve, destabilizojnë tërë rajonin.

Përmes kësaj rezolute, po ashtu kërkohet që të largohen masat ndëshkuese që BE-ja vendosi ndaj Kosovës për shkak të tensioneve në veri, që nisën në fund të majit.

Po ashtu, eurodeputetët kërkojnë që të mos vihet në dyshim liberalizimi i vizave për Kosovën dhe kjo çështje të mos lidhet me dialogun Kosovë-Serbi.

Eurodeputetët po ashtu dënojnë përpjekjet e Rusisë për ndikim në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçmas në raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkohet që të hetohet roli i mundshëm i Rusisë në ngjarjet në Banjskë.