47-vjeçari në veri gjen flamurin serb dhe një letër para banesës

Rastet e nxitjes së përhapjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit midis grupeve të ndryshme, duke përfshirë ato racore, fetare, etnike e të tjera nuk janë edhe të rralla në vendin tonë. Kështu dyshohet se ka ndodhur edhe dje në Mitrovicë të Veriut, rast ky që u denoncuar nga një qytetar.

Një person nga Veriu ka bërë me dije për Sinjalin se 47-vjeçari ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi te banesa e tij e gjeti një flamur të Serbisë bashkë me një letër, ku kishte të shkruar diçka në gjuhën serbe.

Bazuar në dëshminë e tij, të dhënë para hetuesve policorë, letrën dhe flamurin i ka gjetur te hyrja, ky të dyshuarit i kishin lënë dhe më pas menjëherë e ka raportuar rastin.

Në letrën që e gjeti dyshohet se ndër të tjera kërkohej që flamuri serb të vendoset nëpër të gjitha shtëpitë “që të tregohet se për çka po luftohet”.

Dëshmitë që viktima i deponoi në Polici janë sekuestruar si prova lidhur me rastin, ndërkaq është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.

Me urdhër të tij është iniciuar hetimi në drejtim të veprës penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.