Pas Këshillit të Sigurimit, Osmani nis vizitën zyrtare në Iowa të ShBA-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur vizitën zyrtare në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Bëhet e ditur se përveç takimit zyrtar me guvernatoren e Iowas, Kim Reynolds, Osmani do të ketë takim edhe me komandantin e  Gardës Kombëtare të këtij shteti, gjeneralmajor Stephen E.Osborn.

Ndër të tjera, e para e shtetit të Kosovës do të zhvillojë vizitë në Camp Dodge, kampin që ka një histori të pasur dhe që përdorët si një strukturë stërvitore për divizionet e ushtrisë amerikane.

Nga presidenca po ashtu njoftojnë se në kuadër të vizitës në ShBA, presidentja do të takohet me kryetaret e Des Moines, Norwalk, Fort Dodge, Council Bluffs, Johnston dhe Cedar Fallsit.

“Gjatë vizitës, Osmani pritet të ketë një diskutim në Drake University dhe adresim në DMACC. Po ashtu, do të jetë folëse kryesore në ngjarjen e udhëhequr nga ambasadori Branstad, President i Fondacionit të World Food Prize, ku pritet ta dorëzojë edhe zyrtarisht çmimin e sivjetmë të World Food Prize. Në fund të kësaj vizite, presidentja do të ketë takim me mërgatën në ShBA”, thuhet në kumtesën për media.