Abdixhiku pret në takim shefin e zyrës sllovake, i kërkon njohjen e shtetit të Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka pritur në takim shefin e Zyrës Ndërlidhëse Sllovake në Prishtinë z. Rastislav Kostilník.

Në këtë takim, kryetari Abdixhiku dhe Kostilník kanë diskutuar për situatën aktuale politike në Kosovë, zhvillimet e fundit si dhe qëndrimet e LDK-së karshi këtyre proceseve.

Siç bëhet e ditur nga faqja zyrtare e LDK-së, Abdixhiku e ka njoftuar Kostilník edhe me programin 100 pikësh të LDK-së “Rruga e Re”, që do të shpaloset në detaje gjatë muajit të ardhshëm.

Sipas njoftimit, Abdixhiku shprehu mirënjohje për rolin e zyrës ndërlidhëse sllovake njëkohësisht i bëri thirrje Sllovakisë që ta marrë hapin formal drejt njohjes së Kosovës si dhe shprehu bindjen se një njohje nga shteti sllovak do të mirëpritej nga qytetarët e Kosovës, do t’i ndihmonte forcimit të marrëdhënieve bilaterale si dhe stabilitetit të rajonit.