Ish-presidenti Sejdiu: S’duhet t’i ikim dialogut, sanksionet ndaj Serbisë po vonohen

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu deklaron se Bashkimi Evropian po vonon për të sanksionuar Serbinë. Ai konsideron se për këtë po ndikojnë disa faktorë, megjithatë shton se agresioni i Serbisë i 24 shtatorit tashmë është i qartë.

Sejdiu thekson se Kosova meriton mbështetje të fuqishme dhe se nuk duhet të largohet nga dialogu. Në intervistën për KosovaPress, ish-kryetari i shtetit, deklaron se gjendja në veri është e tensionuar dhe për këtë kanë ndikuar shumë faktorë.

Në aktin e agresionit të Serbisë, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, Sejdiu thotë se qëllim ka qenë cenimi i integritetit të Kosovës.

“Për ne është me rëndësi se kjo letër, apo kjo kartë në të cilën ka luajtur Serbia është absolutisht një deshifrim total i gjithë projekteve që Serbia ka karshi Kosovës. Andaj, është tepër e nevojshme që të bëhet një radhitje e gjithë faktorëve të rëndësishëm edhe politikë dhe të sigurisë për të përballuar sfidat e tjera.

Fatkeqësisht, tash është vrarë një efektiv i PK-së, Afrim Bunjaku, dhe qëllimi i atyre që kanë pas qëllim destabilizimin e Kosovës, kanë qenë të që të vriten edhe të tjerë, dhe të ketë viktima të shumta, me qëllim që të proklamojë paralelisht edhe para botës demokratike dhe të gjithë të tjerëve se nuk ka stabilitet, se Kosova nuk ka të ardhme, se është çdo gjë e imagjinuar, por nuk është një veprim real i forcave politike dhe i një shteti në ecje me synimin që një ditë të jetë edhe anëtar i BE-së”, deklaron ai.