“Njerëz të paguar nga Rusia e Irani”, qytetarët thonë se iniciativa për braktisjen e fesë islame në Deçan është e dyshimtë

Disa ditë më parë në qytetin e Deçanit një grup personash u mblodhën brenda një objekti dhe themeluan një lëvizje me motive për shqiptarizmin. “Lëvizja: Braktisja vullnetare e fesë islame”.

Këta njerëz bënë thirrje që Islami në Kosovë të braktiset edhe nga qytetarët e tjerë, me arsyetimin se nuk është feja me të cilën duhet të orientohen shqiptarët. Lajmi.net ka marrë disa nga mendimet e qytetarëve lidhur me këtë “lëvizje”.

Ata shprehen se feja është personale dhe besim i secilit dhe nuk duhet që të krijohen lëvizje të tilla. Një i moshuar shprehet se për të ata nuk janë njerëz, pasi bëjnë thirrje për ndërrimin e fesë.

“Ata mas  pari njerëz nuk janë, ata që e ndërrojnë fenë për mua s’janë njerëz. Mendimi i tyre, por ata nuk janë njerëz për mua”, u shpreh ai.

Një qytetarë tjetër thotë se inciativa e këtyre personave nga Deçani është e dyshimtë dhe duhet të hetohet nga organet e rendit.

Sipas tij mbrapa këtyre personave qëndrojnë vende të cilat nu kia duan të mirën Kosovës, pasi si myslimanet si katolikët duhet të besojnë lirshëm pa imponime e presione.

“Nuk është mirë, kjo është përqarje, është e organizuar nga dikush 100%, e kanë dikënd mrapa.

Duhet që organet ta hetojnë. Ata janë njerëz të paguar, unë e kam fenë islame, dikush fenë katolike, s’munet kërkush me inponu. Këtë e bënë sllavi, prej Rusisë vjen, prej Irani, duhet të merret drejtësia me këtë”, tha ai.

Kujtojmë se Prokuroria Themelore e Pejës ka nisur hetime lidhur me këtë iniciativë.

Kjo është konfirmuar për Lajmi.net nga Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.

Ai deklaroi javën e kaluar se janë iniciuar procedura hetimore për të parë nëse ky grup po shfaq elemente të nxitjes së urrejtjes, përçarjes e mosdurimit.

“Ne si prokurori që nga paraqitja publike e këtyre qytetarëve dhe iniciativës së tyre, e kemi monitoruar në vazhdimësi dhe njëkohësisht sot, Prokuroria Themelore e Pejës ka hapur rast, për verifikim të asaj nëse ka elemente të veprës penale të nxitjes së urrejtjes apo mos durimit dhe varësisht nga ajo çka mund të rezultojë do të ndërmerren edhe hapat dhe veprimet e mëtutjeshme”- tha Nikçi