Rasti i rrahjes së të moshuarës në Pejë, Aurona Pelaj dhe koleget e saj nuk e pranojnë fajin para Gjykatës

Seanca e parë gjyqësore ndaj tri infermiereve që rrahën pacienten e moshuar në qendrën “Orenda” në Pejë u mbajt tek sot.

Avokati i të akuzuarve deklaroi para mediave se të akuzuarat në këtë fazë nuk e pranojnë fajësinë.

“Parimisht aktakuza është shumë e fortë në këtë fazë nuk e pranojnë fajësinë shohim gjatë shqyrtimit gjyqësorë”

Rasti ishte publikuar në nëntor të vitit të kaluar teksa sot në gjykatë u paraqitën të akuzuarat: Aurona Pelaj, Altina Rexhepi dhe Remzije Kuqi.  Seanca u mbajt pa prani të mediave.

Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur aktakuzë ndaj tri infermiereve, A.P., A.R., dhe R.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtat në bashkëkryerje, ndaj viktimës se ndjeshme (e moshuar) kanë kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 184, paragrafi 3, nën-paragrafi 3.1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës “tri të pandehurat në cilësinë e infermiereve në shtëpinë e kujdesit për të moshuar “Orenda”, me dashje dhe në bashkëkryerje përdorin forcën ndaj të moshuarës e cila ishte e vendosur në ketë strehimore, në atë mënyrë që pasi të pandehurat planifikojnë ta vënë nën kontroll viktimën e ndjeshme, me kërkesën e të pandehurës A.P., e pandehura R.K., e incizon me telefon, kurse e pandehura A.R., e kap përdore viktimën duke e mbajtur, e pandehura A.P., e godet disa herë me shuplakë viktimën e tri herë me gjunjë në pjesë abdominale, e të gjitha këto veprime përcjellën me video incizim dhe të qeshura nga tri të pandehurat”. /Lajmi.net/