Kryeministri , Albin Kurti ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje dhe qeverisja e tyre janë të pandalshme dhe pavarësisht se kush e ku i pengon, ata nuk do të mund t’i ndal askush, as në jug dhe as në veri.
“Sot u bënë 6 javë që na e vranë rreshterin e policisë, heroin e Kosovës, Afrim Bunjakun, por në vitin 2024, do të kemi 600 ushtarë më shumë dhe 500 policë më shumë për ligj e kushtetutshmëri, për mbrojtje e siguri për Kosovën tonë”, tha Kurti.
Kurti foli në në takimin e Lëvizja Vetëvendosje me pikat e saj, fjalim të cilin e nisi duke kujtuar Astrit Deharin, në shtatë vjetorin e vdekjes së tij aktivisti që tha ai është mbytur në burg ku po mbahej padrejtësisht.
“Sot është data 5 nëntor dhe në po vijmë këtu pasi ishim në homazhe për aktivistin tonë të paharruar, Astrit Deharin, i cili u mbyt ne burg, ku po mbahej padrejtësisht, për arsye politike 7 vjet më parë”, tha ai.
Më pas u ndal edhe te qeverisja, ku tha se produkti i brendshëm bruto i Kosovës, kur vetëvendosje erdhi në pushtet ishte më pak se 6.8 miliardë euro dhe në vitin e ardhshëm do t’i kalojë 10 miliardë euro. Ndërsa buxheti i shtetit në 2024, do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.
Kreu i ekzekutivit foli edhe për ish krerët që ndodhen në Hagë derisa tha se bindja se UÇK-ja është e drejtë dhe e pasur, as sot nuk ndryshon.
Ai e ka përmendur bashkëpartiakun e tij, Rexhep Selimin, duke e cilësuar si 10-shin e UÇK-së.
Por, Thacin, Veselin dhe të tjerët nuk i përmendi me emër.
“Të gjithë bashkë të bëjmë më shumë e të shkojmë te nota 10, të shkojmë te 10-a, asgjë më pak se shkëlqyeshëm nuk mund të jetë synimi ynë. Meqë ra fjala për 10-shën, para se të flasë për të arriturat, rezultatet dhe sukseset e qeverisjes sonë dëshiroj të kujtoj me mall mikun dhe bashkëveprimtarin tonë, luftëtarin e lirisë, 10-shin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi. Rexhep Selimi tash e tre vjet po vuan në burgun e Hagës. Deputeti i ynë qysh në 2010-n, kur edhe së pari vendosi të marrë pjesë në zgjedhje, gjithmonë fitimtar, gjithmonë çlirimtar. Mezi presim të na kthehet. Mbetemi të patundur në bindjen se Ushtria Çlirimtare e drejtë është edhe e pasur, prandaj i kemi kundërshtuar gjykimet e padrejta atëherë kur vendosej për to, por ja që gabimet e pushteteve të shkuara ende peshojnë dhe ende dëmtojnë”, ka thënë Kurti./Reporteri