Bislimi sot pranon raportin e Komisionit Evropian

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, pret në takim ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Ambasadori Szunyog do t’i dorëzojë zëvendëskryeministrit Bislimi Raportin për Vendin 2023 për Kosovën nga Komisioni Evropian.

Zëvendëskryeministri Bislimi dhe ambasadori Szunyog, pas takimit do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media, ku do të prezantojnë të dhënat e Raportit për Vendin 2023.

Komisioni Evropian (KE) i ka qortuar Kosovën dhe Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) në raportet e tij të progresit për të dyja vendet, të cilat pritet të publikohen të mërkurën.

Radio Evropa e Lirë e ka parë një draft të raportit prej 150 faqesh, në të cilin vlerësohet përmbushja apo mospërmbushja e kritereve nga ana e Kosovës, si dhe e rekomandimeve që ka dhënë KE-ja në raportet e mëhershme.

Kosova ka bërë “përparime të kufizuara” në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar BE-së. Ky është vlerësimi më i shpeshtë në Raportin të cilin KE-ja pritet ta miratojë më 8 nëntor, pas takimit të Kolegjit të Komisionarëve.

Por, në raportet e këtij viti, si në atë për Kosovën, ashtu edhe në atë për Serbinë, një vëmendje e shtuar i është kushtuar përmbushjes së detyrimeve që dalin nga dialogu i Brukselit, dhe në këtë çështje të dyja vendet qortohen për moszbatim e tyre.

Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është vlerësuar me tekstin e njëjtë në të dyja raportet individuale të progresit, për secilin vend përkatës, pasi këto obligime janë pjesë e kritereve edhe për avancim në procesin e integrimeve evropiane.

Duke e rikujtuar arritjen e Marrëveshjes në Bruksel në shkurt dhe dakordimin për aneksin për zbatimin e saj një muaj më vonë në Ohër, raporti shpreh keqardhje që palët nuk kanë filluar ende t’i kryejnë obligimet e tyre.

Marrëveshja Bazë dhe aneksi i saj u kërkojnë palëve të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë, t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare. Për Kosovën, marrëveshja nënkupton njohje de facto nga Serbia, ndërsa për këtë të fundit aneksi i saj parasheh që Kosova ta formojë një Asociacion të komunave me shumicë serbe.

“Si Kosova, ashtu edhe Serbia, akoma nuk e kanë filluar zbatimin e obligimeve të tyre përkatëse, të cilat dalin nga Marrëveshja, të cilat janë të vlefshme dhe detyruese për palët, dhe pjesë e rrugëtimit të tyre evropian. Palët duhet urgjentisht të nisin angazhimin më konstruktiv dhe të nisin zbatimin pa vonesa të reja, apo parakushte“, thuhet në Raportin e Progresit.

Raporti nënvizon detyrimin e Kosovës për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në këtë pikë, dokumenti thekson se drafti i parë i statutit të Asociacionit, i cili ishte paraqitur në takimin e nivelit të lartë të dialogut në muajin maj, e që praktikisht ishte draft i Serbisë, “nuk ka qenë në përputhje me marrëveshjet relevante nga dialogu“.

Raporti tani kërkon që Asociacioni të themelohet në bazë të propozimit të fundit që palëve u është dhënë më 21 tetor.

“Nga Kosova pritet ta nisë procesin i cili çon deri te themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe bazuar në propozimin evropian, i cili u propozua para palëve më 21 tetor 2023, dhe nga Serbia kërkohet ta mbështesë këtë proces dhe paralelisht ta fillojë përmbushjen e obligimeve të veta kyçe nga Marrëveshja“, paralajmëron raporti, i cili bën thirrje që “formalitetet, përfshirë edhe ato që lidhen me miratimin, nuk duhet të jenë pengesa në rrugën e progresit në zbatimit”.

Raporti e quan tërheqjen e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe bojkotin e tyre të zgjedhjeve lokale të prillit të vitit 2023 si “shkelje të obligimeve të Serbisë nga dialogu, që paraqet kthim të madh mbrapa të Serbisë në përmbushjen e obligimeve nga marrëveshja e parë për parimet për normalizimin e marrëdhënieve dhe shkelje direkte të marrëveshjes për drejtësinë të vitit 2015“.

Ai i bën thirrje Serbisë t’i nxitë serbët e Kosovës “që menjëherë të kthehen në institucione”, ndërsa i bën thirrje Kosovës ta bëjë të mundur një gjë të tillë.

“Që nga nëntori i vitit 2022 asnjëra palë nuk e ka bërë asnjë hap në këtë drejtim“, thuhet në raport.

Lista Serbe, deri në nëntor të vitit të kaluar, kishte pushtet absolut në nivel qendror dhe lokal, kur serbët nga veriu i Kosovës, me iniciativën e tyre, u larguan nga institucionet e Kosovës.

Një vendim i tillë është marrë me qëllim që Qeveria e Kosovës të mos zbatojë vendimin për heqjen e targave, të cilat lëshohen nga autoritetet serbe për qytetet e Kosovës.

Ndërkohë, në prill, Kosova mbajti zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, por serbët i bojkotuan ato. Kështu, kryetarët shqiptarë erdhën në pushtet në fund të majit, por popullsia shumicë serbe nuk i pranoi, gjë që shkaktoi protesta dhe një krizë tjetër politike.

Kosova është shprehur e gatshme të mbajë zgjedhjet përmes një udhëzimi administrativ, i cili ua mundëson qytetarëve të komunave përkatëse t’i shkarkojnë kryetarët e tyre duke e nënshkruar atë.

Raporti përmend edhe disa obligime të tjera nga dialogu, të cilat nuk janë zbatuar, përfshirë edhe hapjen e urës mes Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut, marrëveshjen për energjinë, e të tjera. Serbia përmendet si palë, e cila nuk zbaton as marrëveshjen për kadastrat dhe diplomat universitare.Nga Serbia kërkohet të bëjë më shumë edhe në rifillimin e takimeve të rregullta për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit (IBM), për mbylljen e rrugëve ilegale për kalimin e vijës kufitare dhe ta zgjidhë çështjen e lëshimit të targave të veturave “pasi kjo çështje ka potencial të shkaktojë tensione në Kosovë”.Kosovës dhe Serbisë u kërkohet të kenë “sjellje konstruktive” në nismat rajonale. Për më tepër, Serbisë i kërkohet t’i respektojë obligimet për pjesëmarrjen e Kosovës, ndërsa Kosovës të mos i mbajë të bllokuara proceset siç bën, sipas këtij raporti, si në rastin e CEFTA-s.

Tensionet në veri të Kosovës

Raporti i Progresit i këtij viti i përshkruan me kujdes tensionet në veri të Kosovës, duke ardhur në përfundim se të dyja palët kanë ndikuar që të ketë kriza të tilla për shkak të veprimeve të tyre. Kosova, sipas raportit, ka ndikuar në rritjen e tensioneve me praninë e shtuar të njësive speciale të Policisë dhe me Ligjin për shpronësim në veri, ndërsa Serbia me tërheqjen e serbëve nga institucionet dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale.Në veçanti, raporti flet për ngjarjen më të rëndë që ka ndodhur në këtë periudhë: sulmin ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Megjithëse në deklaratat publike të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ky sulm është cilësuar si “terrorist“, Raporti i Progresit i referohet atij vetëm si “sulm i dhunshëm“ ndaj Policisë së Kosovës, ndërsa brenda në raport flitet për “operacion të madh të kontrabandës së armëve“.

“Kriza më serioze gjatë periudhës që përfshin raporti ndodhi më 24 shtator të vitit 2023, kur Policia e Kosovës u sulmua nga individë të armatosur rëndë, të cilët u zunë në befasi gjatë një operacioni të madh të trafikimit të armëve, duke lënë një polic të vrarë dhe tre të plagosur. Gjatë operacionit sulmuesit morën peng disa pelegrinë, duke u barrikaduar në manastirin ortodoks serb në Banjskë, të cilët i lanë pas kur u larguan“, thuhet në raport.

Raporti i bën thirrje Serbisë për bashkëpunim të plotë në hetime dhe t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin, duke e cilësuar atë si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”. Serbia i ka mohuar akuzat.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, nënkryetari i deriatëhershëm i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

“Sulmi nuk duhet të shërbejë si një arsyetim për cilëndo palë për largimin e vëmendjes nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja. Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë përpjekjet domethënëse për shtensionimin, si dhe të sigurojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur, me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës“, thuhet në raport.

Përparimi i “kufizuar” i Kosovës

Sa i përket përparimeve që ka arritur Kosova në fushat që i mbikëqyr Komisioni Evropian, “përparim i kufizuar“ është arritur në luftë kundër korrupsionit, funksionimit të gjyqësorit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe në lirinë e shprehjes. Në të shumtën e rasteve, raporti thekson se nuk ka pasur sa duhet rezultate në zbatim, ndonëse është arritur përparim në miratimin e kornizës ligjore.

Raporti vlerëson se Kosova ka dështuar ta reformojë aministratën publike, duke nënvizuar se “nuk ka pasur përparim“ në këtë fushë.

Situata politike në Kosovë vlerësohet si e qëndrueshme, ku raporti e përmend faktin se Lëvizja Vetëvendosje gëzon një shumicë të mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës, e cila ia ka “mundësuar ta çojë përpara një agjendë ambicioze të reformave evropiane”.

Kosova vlerësohet për reformën e ligjit zgjedhor. Tashmë, si problem kronik, përmendet pengimi i punës së Kuvendit të Kosovës si pasojë e mungesës së kuorumit, pavarësisht faktit se partia në pushtet ka shumicën e nevojshme në Kuvend. Problem i veçantë edhe në punën e Kuvendit, sipas raportit, është bojkoti i deputetëve serbë, të cilët shkojnë vetëm sa për t’i ruajtur mandatet, por vazhdojnë bojkotin.

Në fund të tetorit, Kuvendi i Kosovës dështoi të hidhte në votim një projektrezolutë që kërkon mbështetje urgjente financiare për Policinë e Kosovë, për shkak të mungesës së kuorumit.

Raporti ka dhënë disa vërejtje në fushën e lirisë së mediave. Ai përmend sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, problemet me financim të mediave që i bën ato të ndjeshme ndaj ndikimeve të interesave politike apo financiare, dhe jotransparencën e pronësisë së mediave. Si shqetësim i veçantë në raport përmendet gjendja e lirisë së mediave në veri të Kosovës.

Dhjetëra gazetarë u sulmuan në veri të Kosovës, derisa mbulonin protestat e grupeve të serbëve kundër kryetarëve të zgjedhur shqiptarë të komunave me shumicë serbe në atë zonë gjatë kësaj vere.Asnjë rast i sulmeve ndaj gazetarëve në veri të Kosovës nuk është duke u gjykuar.

Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), 30 sulme të tilla u regjistruan në atë zonë të banuar me shumicë serbe nga 60 gjithsej sa u raportuan deri më tash këtë vit në të gjithë territorin e Kosovës

Të mërkurën, në takimin e Kolegjit të 27 Komisionarëve, do të miratohet paketa e zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha vendet e përfshira në procesin e zgjerimit.

Është hera e parë që raportet do të miratohen për 10 vende që janë në këtë proces. Janë gjashtë vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – pastaj Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina, ndërsa raport progresi i bëhet ende edhe Turqisë, e cila vazhdon formalisht ta ketë statusin e vendit kandidat për anëtarësim.