Foshnja e cila ishte braktisur nga nëna e saj dhe është gjetur mbrëmë në një podrum të pallatit, i mbulur me gjak, sot ka ndërruar jetë.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i brendshëm i Shqipërisë Taulant Balla, i cili e ka quajtur këtë një lajm të trishtë. Balla ka thënë se Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ka ndaluar nënën, e cila braktisi foshnjën.
“Sapo mora një lajm të trishtë nga Drejtori i Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” , i cili më njoftoi se foshnja e braktisur në zonën e Yzberishtit në Tiranë nuk ia doli dot edhe pse mjekët e spitalit bënë të gjitha përpjekjet. Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ka ndaluar nënën që e braktisi pa na dhënë mundësinë ne të gjithëve, agjencive shtetërore, shoqërisë civile ta gjenim në kohë dhe të mund ta shpëtonim. Kjo është një ngjarje e rëndë që kërkon një reflektim dhe masa konkrete nga të gjithë”, ka shkruar Balla në Facebook.
Ndryshe mbrëmë është raportuar se foshnja e gjinisë mashkullore u dërgua në spital në gjendje të rëndë dhe është mbajtur i intubuar.
Në momentin e mbërritjes në reanimacion foshnja ishte i mbuluar me gjak e baltë ndërsa, mjekët konstatuan hipotermi të thellë, gërvishtje të syrit të majtë, të gojës, të gishtave të dorës së djathtë dhe dëme të tjera që u konstatuan pas larjes.
Foshnja në spital ka mbërritur pa shenja jete dhe u reanimua intesivisht duke u intubuar. Pas reanimimit intensiv prej 40 minutash, shfaqi shenja jete dhe më pas u bë mjekimi i plagëve.
Mësohet se fëmija u gjet i zhveshur, me kordonin umbelikal të pa prerë dhe i mbuluar me gjak.
Djali i sapolindur është gjetur nga një banor i pallatit, i cili ka njoftuar policinë dhe më pas është transportuar me automjetin e Policisë, së bashku me stafin mjekësor në spital.