Dënohet me 27 vjet burgim për vrasjen e dajës së tij në Gjilan, dy të tjerët me 24 dhe 15 vjet

Ish-ushtari i UÇK-së dhe UÇPMB-së, Lirim Jakupi është dënuar me 27 vjet burgim të hënën për vrasjen e Bakush Veselit në muajin shtator të vitit 2021.

Veseli ishte daja i Jakupit, tanimë i dënuar më 27 vjet burgim.

I akuzuari tjetër Afrim Ismajloviq është dënuar me 24 vjet burgim dhe Faton Osmani me 15 vjet burgim.

Aktgjykimi është shpallur të hënën nga një trup gjykues në Gjykatën Themelore në Gjilan.

“Trupi gjykues pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, të akuzuarit L. J. i ka shqiptuar dënim unik në kohë zgjatje prej 27 (njëzeteshtatë) vjet burgim, ndërsa të akuzuarit A. I., i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 24 (njëzetekatër) vjet. Të akuzuarit F. O. për kryerjen veprës penale “ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”, Gjykata ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 (pesëmbëdhjetë) vjet. Gjykata ka nxjerrë aktvendim me të cilin i vazhdohet masa paraburgimit të pandehurve L. J. A. I. dhe F. O., derisa ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar. Palët e pakënaqura kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij Aktgjykimi, pas pranimit të të njëjtit në Gjykatën e Apelit”, thuhet në njoftim e Gjykatës Themelore në Gjilan.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur më 30 shtator 2022, Jakupi dhe Ismajloviq akuzohen se më 12 shtator 2021, pas një përgatitje paraprake, me dashje dhe në bashkëveprim, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin B.V., nga Gjilani dhe kanë vënë në rrezik me dashje jetën e disa personave tjerë që kanë qenë në kafene.

Kurse, Faton Osmani ngarkohej për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.