Takimi i kryenegociatorëve në Bruksel, skepticizëm për rezultate konkrete

Rreth dy muaj pas agresionit serb në Banjskë të Zveçanit, nesër pritet të kthehet dialogu Kosovë-Serbi, në nivel të kryenegociatorëve. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe përfaqësuesi serb, Petar Petkoviq në Bruksel pritet të diskutojnë për hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit dhe zbatimin e angazhimeve të palëve në dialog, duke përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Megjithatë, nga Qeveria e Kosovës nuk treguan nëse të enjten do të diskutohen komentet e palëve për planin e sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit si dhe draftin e Asociacionit të propozuar nga emisarët euro-amerikanë më 21 tetor. Të njëjtit thanë se gjatë ditës së sotme do të dalin me një komunikatë për medie për të treguar detajet e takimit në kryeqendrën evropiane.

Nga ana tjetër, opozitarët kritikojnë ekzekutivin për mungesë transparence për draftin e Asociacionit si dhe kërkojnë që menjëherë pas takimit Bislimi-Petkoviq të raportohet në Kuvend. Ndërkaq, njohësit e procesit të dialogut janë skeptikë se do të ketë progres të madh në takimin e nesërm.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe kryetare e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi, thotë se e kanë të pamundur të dalin me një qëndrim për draftin e Asociacionit, derisa i njëjti ende nuk iu është prezantuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ajo shprehet e shqetësuar, siç thotë për mungesën e transparencës së kryeministrit Albin Kurti në këtë proces, derisa thekson nevojën që bashkësia ndërkombëtare ta bind Serbinë që të zbatojë në tërësi marrëveshjet nga e kaluara.

“Nuk mundemi me fol për Asociacionin, pasi kryeministri Kurti ende nuk e ka prezantuar para deputetëve të Kuvendit. Ne e pamë…deklaratat e ambasadorit të Amerikës, por kishte qenë e rrugës që kryeministri të vjen të raportojë në Kuvend, pasi ky proces s’ka pasur aspak transparencë…Jemi prapa në implementimin e marrëveshjeve të kaluara, gjë e cila u theksua edhe në Raport të Progresit që nuk po zbatohen marrëveshjet. Mendoj se kjo është shqetësuese për vendin pasi nuk kemi një situatë të qetë në pjesën veriore ende…Ne e dina se Serbia nuk dëshiron t’i zbatojë marrëveshjet por ish dashur nga ana e ndërkombëtarëve që të bindin Serbinë. Po ashtu me implementimin e marrëveshjeve të hiqen masat pasi kemi humbur shumë nga ana financiare, sidomos në projektet IPA”, thotë Krasniqi.

Skeptik për takimin Bislimi-Petkoviq është analisti politik, Dorajet Imeri, i cili thotë për KosovaPress se duke marrë parasysh qasjen destruktive të Serbisë në dialog nuk pret të ketë dakordim për zbatim të sekuencuar të marrëveshjes bazë, ku vihet në pah edhe njohja de-facto mes palëve.

Ai kërkon që Bashkimi Evropian si ndërmjetësues në dialog si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si mbështetëse e tij të jenë më agresiv ndaj Serbisë si palë bllokuese e dialogut.

“Lehtësuesit e këtyre negociatave dhe ata që e mbështesin këtë proces duhet të jenë sy hapur që pala(Serbia) që nuk është konstruktive në këtë dialog të pengohet në procesin e anëtarësimit apo qoftë edhe në zhvillimin ekonomik apo pozicionin ndërkombëtar që ka, në rastin tonë po flasim për Serbinë”, thekson Imeri.

Emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dje ka qëndruar në Beograd, kurse javën e kaluar ka qenë në Kosovë, siç ka thënë për të përgatitur për takimin e kryenegociatorëve Bislimi-Petkoviq.

Pas vizitës së tij në Kosovë, ai kishte thënë se ka propozuar një agjendë të drejtpërdrejtë për takimet e ardhshme në Bruksel, në linjë me pritshmëritë e përcjella nga liderët evropianë. Sipas tij fokusi primar do të jetë në arritjen e progresit të menjëhershëm në zbatimin e marrëveshje dhe gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme për situatën sfiduese në veri të Kosovës.

Megjithatë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, javën e kaluar në konferencë për media tha se dakordimi me Lajçakun gjatë takimit në Prishtinë, ishte vetëm ai për një takim të radhës në Bruksel.

Pas dështimit të arritjes së rezultateve në takimin Kurti-Vuçiq më 14 shtator dhe pas sulmit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, diplomatët euro-amerikanët më 21 tetor paraqitën një plan të ri për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ku mes tjerash prezantuan një draft për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, që flet për vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit, të cilin kryeministri Kurti tha se është i gatshëm të nënshkruajë, krahas marrëveshjes bazë dhe aneksit, por që u tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiq e refuzoi.