Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, të mërkurën u takuan me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti dhe përfaqësues e pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës.
Siç njofton Kryeministria, në një diskutim të gjatë, Kurti dhe dy ministrat e kabinetit qeveritar fillimisht i dëgjuan me vëmendje të gjitha kërkesat dhe çështjet e ngritura nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, teksa i falënderuan për kontributin e tyre me punë profesionale dhe në shërbim të rendit dhe ligjit.
Kurti tha se kategorizimi dhe vlera e shtesave të rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës është bërë me kujdes të veçantë e të shtuar, duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët rreth punës dhe përgjegjësive të tyre, por në të njëjtën kohë duke pasur parasysh edhe kufizimet që ekzistojnë.
“Qeveria e Republikës së Kosovë është e përkushtuar për përmirësimin e kushteve dhe pajisjeve të punës për Policinë e Kosovës në mënyrë që krahas lehtësimit në punë, të ndikojë drejtpërdrejt po ashtu në uljen e rrezikshmërisë gjatë kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive”, thuhet në njoftim.
Në njoftim theksohet se ky përkushtim reflektohet edhe në projektbuxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2024 në të cilin parashihet shtimi i investimeve kapitale në Policinë e Kosovës.