Një nga boshtet kryesore të formimit konceptual të Lëvizjes Vetëvendosje, është kritika e saj e guximshme e shpeshherë radikale ndaj establishmentit ndërkombëtar.
Në rolin e opozitarit, lideri i këtij subjekti, Albin Kurti, ka pasur ligjërim kritik për sjelljet e ish-pushteteve karshi faktorit ndërkombëtar. Qasjen e pushtetarëve të kaluar në raport me ndërkombëtarët, Kurti e quante sjellje “servile” për shkak se, siç thoshte ai, pushtetet e kaluara ishin të shantazhuara nga ndërkombëtarët dhe kjo i bënte të dëgjueshëm në raport me ta, në veçanti në kërkesat e tyre për çështjen e dialogut.
Jasharaj – Nagavcit: Na vjen keq sa shumë të ka ndryshuar funksioni dhe kolltuku
“Pra, nuk është i mundshëm vetëm serviliteti ose armiqësia. Ne jemi për një qasje krejt tjetër të bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar, e ky është partneriteti. Politikanët tanë për shkak të korrupsionit të tyre enorm dhe për shkak të shantazheve që i kanë për këtë korrupsion, nuk kanë mundësi tjetër përveç servilitetit”, deklarohej dhjetëra herë Kurti si opozitar.
Madje, në vitin 2020, kryeministri mburrej se nuk mund të ketë trysni dhe presion mbi të.
“Ata që kanë përjetuar trysni, të tregojnë se si duket ajo trysni, jam kurreshtar ta marr vesh se si duket trysnia ndërkombëtare, por ka mundësi që kur nuk je i korruptuar e nuk mund të të shantazhjojnë, nuk e përjeton as trysninë”, thoshte Kurti në janar të vitit 2020.
Kurti në pushtet dhe raporti i tij me ndërkombëtarët
Nëse e klasifikojmë me definime të letërsisë, thonë se opozita është poezi, ndërsa pushteti prozë. Pra, ligjërimi poetik në opozitë, jo shpeshherë është realitet i ndodhur në pushtet.
Qartazi dhe deri diku e pritshme, raporti i Kurtit dhe ligjërimi i Kurtit ndaj faktorit ndërkombëtar nuk tingëllon aspak i ngjashëm me thirrjet opozitare të tij.
I kritikuar shumë si anti-amerikan, Kurti tashmë po interpretohet si më pragmatik dhe i dëgjueshëm karshi palës ndërkombëtare, sidomos ndaj asaj amerikane.
Provë për këtë, si duket është bë “dëgjimi” i Kurtit që pas kërkesës amerikane ta shtyjë vendimin për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për çështjen e targave dhe dokumenteve të identifikimit, ku edhe pati tensionim të situatës në veri.
Përfundon takimi Kurti-Hovenier, s’deklarohet as ambasadori amerikan
Aprovimi i kërkesës amerikane dhe vendosja e Kurtit për shtyrjen njëmujore të këtij vendimi, nga shumëkush u interpretua si hap i duhur i tij, por pati edhe interpretime se Kurti po zmbrapset karshi presionit ndërkombëtar, gjë për të cilën i ka kritikuar kryeministrat e kaluar.
Ish-bashkëpunëtori i Kurtit, tani anëtar në Partinë Socialdemokrate, Zgjim Hyseni, mendon që tërheqja e Kurtit për zbatimin e reciprocitetit është lloj shantazhi dhe kryeministri sipas tij e ka për detyrë ta sqarojë këtë.
“Pas zhvillimeve të fundit, kryeministri i detyrohet publikut për një sqarim: cila është natyra e shantazhit që na solli deri te kjo tërheqje? Kujt i paska borxh ai, borxh ky që duhet ta paguajë Kosova me “vasalitet”. A nuk thuhej kështu? Këta që lëshojnë pe, janë diku të kapur me afera milionëshe”, thotë Hyseni për Nacionale duke kujtuar fjalët e Kurtit.
Sipas Hysenit, diskursi i VV-së që tingëllonte “i guximshëm” i ka kushtuar Kosovës me bllokim të perspektivës mbi dialogun.
“I guximshëm sot nuk është ai që në imagjinatën e lavdisë së vet e ka “çlirimin” e Leposaviqit. Mendoje pak. Çfarë ideali?! Meqë tradhti ishte ripërcaktimi i kufijve, historia në vend është çlirimi i Leposaviqit. Kur edhe kjo s’bëhet se ky muhabet është raport forcash dhe jo “bishti me derë” i të shiturve, atëherë e thirrim KFOR-in. Kështu, dialogu vazhdon të matet me fytyrën, lavdinë; të sillet kah çlirimi i Leposaviqit dhe ndërkohe sjellja na bëhet salto mortale (e rrezikshme) drejt Asociacionit”, mendon Hyseni.
Jasharaj – Nagavcit: Na vjen keq sa shumë të ka ndryshuar funksioni dhe kolltuku
Mirëpo, ndryshe mendon opinionisti Bleron Baraliu, i cili në një prononcim për Nacionalen thotë se veprimi i qeverisë për shtyrjen e reciprocitetit është veprim i matur.
“Së pari, pa konsideruar fare diskursin dhe qëndrimin e mëparshëm të VV-së në raport me ‘dëgjueshmërinë’ ndaj ndërkombëtarëve, mund të vlerësojmë lehtë se reagimi i qeverisë ishte i matur, i mençur, dhe maksimalisht konstruktiv. Këtë mund ta kishim konstatuar edhe para se të ofronte detaje shtesë ambasadori Hovenier. Pra, nëse partnerët ndërkombëtarë garantues të paqes dhe stabilitetit përmes aktivitetit dhe prezencës së tyre fizike në rajon kërkojnë kohë shtesë për të evituar zhvillime problematike, sidomos në një sasi modeste prej 30 ditësh, e vetmja arsye për të refuzuar këtë do të mund të lindte mbi nevojën për kapadaillëk mendjemadh e shkurtpamësi politike”, thotë ai, duke shtuar se ky 30 ditësh nuk ka të bëjë me ndonjë sakrificë tjetër pos aspektit kohor.
Madje, Baraliu këtë e quan si njërin nga veprimet më të mençura politike në historinë e politikëbërjes kosovare.
Në lidhje me qëndrimet e Kurtit si politikan dhe si udhëheqës i VV-së Baraliu mendon se ka pasur narrativë të “shtrembëruar dhe tendencioze mediatike”.
“Përse e them këtë?! Sepse edhe nën trysninë më të paarsyeshme, në kohën kur zyrtari i lartë amerikan Richard Grennell i bënte presion kryeministrit Kurti që t’i nënshtrohej kërkesave për kompromise ndaj Serbisë, përfshirë në raport me reciprocitetin, dialogun, dhe marrëveshje nën tytën e shantazhit në Washington DC, kryeministri Kurti prapë është munduar në çdo mënyrë të gjente mirëkuptim dhe rrugëdalje, natyrisht pa sakrifikuar parimet dhe qëndrimet thelbësore të qeverisë së tij në veçanti dhe shtetit në përgjithësi”, thotë Baraliu.
Baraliu thotë tutje se pavarësisht se nuk është pajtuar me metodat “e pahijshme” të VV-së në opozitë karshi kritikës së tyre ndaj negociatave të qeverisë me spektrin ndërkombëtar, mirëpo sipas tij, “destruktiviteti” i VV-së opozitare nuk ka arritur të prodhojë ndonjë rezultat që të ndalojë proceset. Sipas tij, raportet e mëhershme të përfaqësuesve politikë kanë qenë “vasaliste”.
“Pra, kam bindjen se raportet e mëparshme të politikanëve përfaqësues të Kosovës kanë qenë fatkeqësisht më tepër në rrafsh dëgjueshmërie vasaliste, me përjashtime të rralla gjithsesi, dhe kjo na ka shkaktuar probleme të rënda, sikur me Gjykatën Speciale dhe të metat e thella të saj, 2/3 e votës shantazhuese të minoriteteve, simbole simbolikisht poshtëruese për popullin e shtetin, dhe së fundmi rrëzimin e qeverisë mbi kërkesën/shantazhin e administratës Grennell/Trump. Sa për dijeni, vetë ambasadori Wisner më pas ka thënë “liderët tuaj politikë na shikojnë me respekt të tepruar dhe asnjëherë nuk insistojnë në kërkesat e drejta dhe fer që ju takojnë juve””, thotë Baraliu
Ndërkaq, profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, në një bisedë për Nacionale ka folur për situatën në veri të vendit pas tensioneve që u shkaktuan me vendimin për reciprocitetin për targa dhe dokumente të idenfikimit me Serbinë.
Ai ka hedhur akuza për vendimin e qeverisë pasi sipas tij, nuk janë bërë të gjitha llogaritjet.
“Politika nuk është fontan dëshira por është fontanë e mundësive, për me i ba reciprocitet Serbisë duhet me u shtrëngu, duhet me pasë një polici që pas 30 gushtit nëse ta zënë peng banditat me u detyru ambasdori amerikan me t’thanë hajde tërhiqu se nuk je kurrkund. Kështu që 6 orë u torturum nga sirenat, nga alarmi edhe nuk ke në gjendje Policia e Kosovës me shku me fikë atë. Na tregun që jo veç në veri po edhe në jug vjen por deri në Prishtinë edhe të torturon sepse ti nuk je i zoti me përçu një veprim të cilin ti e ke marrë. Para se me marrë vendimin është dashur të bëhet të gjitha llogaritë, çka në qoftë se tentohet me u ba bllokada, protesta etj, të gjitha këto është dashtë me i ndërmarrë që në mënyrë me evidentu dhe me realizu vendimin për reciprocite”, ka thënë ai.
/Nacionale/