‘Vullkani’ Haki Abazi tashmë ka shpërthyer. Tymin po ia shohim, por jo edhe flakët. A po largohet ai prej Vetëvendosjes?
Pak kohë pasi redaksia e Nacionales vendosi t’i hiqte dënimin Abazit duke ia zbuluar gjithë mbiemrin (më herët, i referoheshim me A**** për shkak të sjelljes së keqe ndaj një gazetarit tonë), ai si duket e ka pësuar nga po ata që i ka mbrojtur me shumë potere.
Deputet Abazi ka shpërthyer plot dy herë, në dy statuse të cilat ka provuar pa sukses t’i mbulojë me një tis misteri.
Shpërthimi dhe qeshja e ‘Oso Kukës’
Në të parin – të botuar gjatë datës 3 gusht, tetë minuta para mesditës (11:52) – ai ka denoncuar qasjen politike që provon të reklamojë gjëra të parëndësishme në vend se të punojë tamam për diçka të rëndësishme.
Jasharaj – Nagavcit: Na vjen keq sa shumë të ka ndryshuar funksioni dhe kolltuku
“Nëse politika është 90% kozmetikë (foto facebooku e instagram) dhe 10% përmbajtje, atëherë rezultati është qytetarë të befasuar nga besimi, në dëshprim me largim; delir për madhështinë; dhe valle për përfituesit nga rrjetet e kriminalizuara. Jashtë ekuacionit mbetet një armatë në kërkim të së ardhmës!”
Ky status është pëlqyer nga gati 200 vetë, por asnjëri prej të cilëve nuk ishte figurë e njohur e Vetëvendosjes.
Si të mos mjaftonte kjo, figura e njohur kombëtare ‘Oso Kuka’ i ka bërë reagimin “haha” Abazit në atë status. Oso Kuka është një profil i rremë në Facebook që bën punë të madhe si aktivist virtual i Vetëvendosjes me komente të ndryshme, dhe i cili ka shoqëri me deputetë e figura tjera të shquara të partisë së Kurtit.
Por, të mos largohemi nga thelbi i asaj që thotë z. Abazi: qytetarë të befasuar nga besimi; politika – 90% kozmetikë; qytetarët në dëshpërim me largim; delir për madhështinë.
Sa i përket qytetarëve që janë të befasuar nga besimi, është e vështirë të flitet për shkak të gjuhës së shifruar.
Por, shumë më e qartë është pjesa tjetër kur ai flet për qytetarët në dëshpërim me largim. Megjithëse kemi të bëjmë me një formulim tjetër që lë shumë për të dëshiruar, aty bëhet fjalë për qytetarët që po ikin nga vendi ynë në kërkim të një jete më të mirë jashtë. Mjekë, infermierë, mijëra e mijëra të tjerë që nuk po shohin të ardhme në vendin e tyre.
Përgjegjëse për këtë gjë, është tashmë partia e Vetëvendosjes që ka marrë pushtetin më të madh që ka pasur një parti politike prej pasluftës e këndej dhe qeveris me vendin prej marsit 2021.
Delir për madhështinë? Është folur shumë për kultin e personalitetit për z. Kurti në partinë e tij.
Ish-snajperisti amerikan i UÇK-së përgatit kallëzim penal ndaj VV-së dhe Listës “Guxo”
90% kozmetikë? Vetëvendosje ka qenë parti që ka angazhuar madje edhe një videograf që kishte punuar në ShBA për Barack Obaman, derisa vazhdon të shquhet me grafikone e fotografi të ndryshme si pjesë të Relacioneve me Publikun.
Shpërthimi nr. 2
Abazi ka shpërthyer me një status të rëndë edhe gjatë ditës së djeshme, 4 gusht.
“Servilët janë poçavra të ndyera që i biejnë kujdo dhe kurdoherë në gjunjë e besa edhe i bëhen pjesë çdo pushteti.
Pyetja është nëse me servilë e poçavra të ndyera mund të ndërtohet e zhvillohet shteti? A duhet ndryshimi të reduktohet në rehabilitim të atyre që i kanë shërbyer në një formë atij sistemi të korruptuar e kriminal që synohet të ndryshohet!?”
Në këtë status Abazi akuzon Vetëvendosjen se ka “reduktuar ndryshimin” në rehabilitimin e atyre që ai i konsideron si “servilë”, e të cilët tash po i shërbejnë VV-së e më parë i kanë shërbyer edhe qeverive të mëhershme.
Se kush janë servilët në fjalë që po punojnë me Vetëvendosjen, nuk dihet. Por, se z. Abazi është futur në një sherr të rëndë me dikë në Vetëvendosje, kjo është e sigurt.
As ky status nuk është pëlqyer nga asnjë figurë e njohur nga Vetëvendosje.
Abazi kishte nisur të margjinalizohej nga Kurti qysh gjatë vitit të kaluar, kur nuk e mori asnjë post ministror përkundër që gjatë Qeverisë Kurti I kishte qenë hiç më pak se Zv. Kryeministër. Ai është përfolur se mund të kalojë në partinë e Vjosa Osmanit të quajtur “Guxo”.