Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Lum Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani, për sulmin fizik kundër gazetarit Valon Syla, duke i dënuar me nga dy vite burgim efektiv (secilin veç e veç).
Aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykatësja Namani tha se tre të akuzuarit Lum Dërvishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani dënohen me nga dy vite burgim (secili veç e veç), pasi janë fajtorë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Të njëjtëve, në dënimin me burgim do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak prej 14 prill deri më 7 dhjetor 2023.
Të akuzuarve iu ndalohet masa e arrestit shtëpiak. Ndërsa, refuzohet kërkesa pasurore-juridike e palës së dëmtuar, pasi që gjykata vlerëson se nga të dhënat e grumbulluara në procedurë penale, nuk ka prova të mjaftueshme për realizimin e kësaj të drejte.
Aktgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarve, pasi në seancën e kaluar kishin deklaruar se nuk dëshirojnë të marrin pjesë në shpallje të aktgjykimit.
Aktakuza ndaj Lum Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani ishte ngritur më 4 gusht 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me arsyetimin se më 11 prill 2023, rreth orës 23:00, të njëjtit, të ndikuar nga ideologjitë ekstreme radikale të islamit, kishin lënduar lehtë të dëmtuarin gazetarin Valon Syla, pasi që ky i fundit paraprakisht kishte shkruar në profilin e tij në “Facebook” për profetin Muhamed dhe profetin Isa.
Prandaj, me këto veprime Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani ngarkoheshin për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, vepër kjo e dënueshme nga gjashtë muaj deri në tri vite burgim sipas cilësimit juridik të bërë në aktakuzë.