Avokati i Radoiçiq e konfirmon se INTERPOL ka lëshuar njoftim për klientin e tij

Avokati i Milan Radoiçiq, Goran Petronijeviç, e ka konfirmuar për T7 që INTERPOL’i ka lëshuar njoftim ndaj Radoiçiqit.

Ai tha se ende nuk ka kontaktuar me Radoiçiqin.

“Po, është e vërtetë. Informatën e kemi pranuar tash së fundi. Nuk kam kontaktuar ende me klientin tim”, tha ai.

Sot, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë sot se INTERPOL’i ka lëshuar fletëarrest për Milan Radoiçiqin, i cili e ka pranuar se ka qenë organizator i sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Ndërsa, kjo organizatë, në një përgjigje ka thënë se nuk komentojnë për raste ose individë të veçantë. Ata kanë thënë se për Radojiçiqin duhen kontaktuar autoritetet kombëtare.

“Ju lutemi ta keni parasysh që Organizata nuk komenton për raste ose individë të veçantë, ju këshillojmë të kontaktoni autoritetet përkatëse kombëtare” thuhet në përgjigjen  e policisë ndërkombëtare.

Tutje ata thonë se INTERPOL nuk lëshon fletëarreste por vetëm të ashtuquajturin “Red Notice”.

“INTERPOL nuk lëshon urdhër-arreste, me kërkesë të vendeve anëtare dhe pas kontrolleve të pajtueshmërisë INTERPOL lëshon alarme ndërkombëtare në kërkim të njohur si Njoftimet e Kuqe (Red Notice).” /GazetaExpress/