BE shpalos detaje të reja mbi draft-statutin e Asociacionit

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe që i është paraqitur palëve në proces të dialogut në Bruksel (Kosovës dhe Serbisë) është i balancuar dhe evropian.

“Propozimi i BE-së nuk është bërë publik pasi përpjekjet diplomatike janë në vazhdim. Ne kurrë nuk i zbulojmë dokumentet zyrtare publikisht dhe as nuk marrim pjesë në shkëmbime publike për to, ndërkohë që ato diskutohen. Të njëjtën gjë presim edhe nga partnerët, pasi është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar që procesi të zhvillohet në konfidencialitet”, tha tutje Stano.

Por, ai nuk ka dhënë qëndrim të qartë nëse BE-ja ka një vlerësim se cila palë në proces të dialogut nuk po e zbaton marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit.

“Në pyetjen tuaj të fundit, zbatimi është përgjegjësi e Palëve dhe deri më tani ato nuk kanë qenë në gjendje të ecin përpara dhe të përmbushin detyrimet e tyre” tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për RTV21.