DASh-i pret zbatim të plotë të marrëveshjeve: Kosova dhe Serbia të bëjnë hapa konkretë

Departamenti amerikan i Shtetit ka dërguar edhe një mesazh të adresë të qeverive të Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar përparim konkret në procesin e dialogut.

Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, DASh-i tregoi se pret që të dyja vendet, pra Kosova dhe Serbia, të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet sipas marrëveshjeve të arritura së fundmi.

Tutje, DASh-i e rithkesoi përkushtimin e ShBA-së karshi Kosovës e Serbisë, por edhe të Ballkanit Perëndimor, në aspiratat drejt integrimit në institucionet euroatlantike.

“Për këtë arsye, ne përsërisim thirrjet tona për qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që të bëjnë përparim konkret në angazhimet që kanë marrë në kuadër të marrëveshjes së normalizimit dhe presim që të dyja vendet të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e tyre sipas Marrëveshjes Themelore dhe aneksit të zbatimit të saj.” – thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të DASH-it.

Për progres, dje ka folur edhe Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas Lajçakut, ka progres në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në procesin e dialogut mes Kosovë dhe Serbisë.

Duke folur në debatin për zgjerimin, që u organizua nga “Miqtë e Evropës, Lajçak foli për një progres “kohëve të fundit”. Tutje, Lajçaku vlerësoi se pa normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbise, e ardhmja evropiane e rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk mundet të shihet as në ëndërr

“Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një çështje me rëndësi strategjike. Pa këtë normalizim nuk mundemi as të ëndërrojmë të ardhmen evropiane. Kemi progres kohëve të fundit në këtë drejtim. Së shpejti do ta mbyllim dosjen e energjisë, ka progres në çështjen e targave, në çështjen e personave të pagjetur, në çështjen e zgjedhjeve lokale në veri dhe në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve”, deklaroi Lajçak duke shtuar se ai është në kontakt të vazhdueshëm me palët për të vazhduar me zbatimin, raporton REL.

Ndryshe, Cristopher Hill, ambasador i ShBA-së në Serbi, gjatë një interviste në mediet serbe, foli sërish për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Duke folur për këtë proces, Hill vlerësoi se dialogu nënkupton një process “që jut ë jepni, por edhe të merrni diçka”.

“Në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor nevojiten marrëdhënie shumë më të mira mes vendeve. Për Serbinë çështja e Kosovës është shumë e vështirë, nuk kam nevojë t’ia shpjegoj askujt në Serbi. Por unë mendoj se i gjithë procesi nënkupton që ju të jepni diçka, por edhe të merrni diçka.“ – deklaroi Hill për RTS.