Selmanaj: Drafti i Asociacionit është një monstrum juridiko-politik, e defunksionalizon shtetin

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, është shprehur i shqetësuar me përmbajtjen e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ai ka bërë me dije se ky mekanizëm është një monstrum juridiko-politik, i cili do të rrezikon funksionalitetin e Republikës së Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Selmanaj ka vlerësuar se drafti që është pranuar nga Qeveria e Kosovës nuk mund të akomodohet në Kushtetutën e Kosovës.

Ky kryeministër pranon një dokument i cili qysh në preambulë për referencë nuk e ka Kushtetutën e Kosovës, por ka rezolutën 12 44. Nga ana tjetër, mënyrën e organizimit të një mekanizmi atipik dhe jo kushtetues që po pretendohet të ndërtohet, për vlerësimin tonë është një monstrum juridiko-politik që po provohet nga Qeveria e Kosovës të instalohet në Kosovë. Nuk ka asesi paketim të këtij mekanizmi në strukturën kushtetuese që ne kemi”, ka thënë Selmanaj.

Sipas tij, ky Asociacion do të vë në pikëpyetje funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Mënyra se si është draftuar ky dokument dhe që provon ta ndërtojë një mekanizëm të tillë siç është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, vërtetë e fut Kosovën në labirinthe më të vështira se sa ka qenë deri sot. Madje, mendoj se krijimi Asociacionit me kompetenca të tilla dhe me këtë mandat që është menduar, do të vë në pikëpyetje seriozisht funksionalietitn e shtetit të Kosovës”, ka thënë Selmanaj.

Kushtetuesja mund të mos e shqyrtojë statutin

Deputeti i LDK-së ka shprehur brengen e tij se Gjykata Kushtetuese mund të mos lëshohet fare në shqyrtimin e statutit të Asociacionit.

Unë druaj në hapat që do të ndodhin tash e tutje. Sepse referenca në rezolutën 12 44 dhe referenca vetëm në marrëveshjen e vitit 2013, e cila në momentin që është ratifikuar në Kuvend ka marrë statusin e një marrëveshje ndërkombëtare, druaj që mund të gjendet rrugë që eventualisht Gjykata Kushtetuese të mos lëshohet në analizën përmbajtjesorë të këtij dokumenti”, ka thënë Selmanaj.

Ai ka treguar edhe arsyet se pse Kushtetuesja mund të mos e shqyrtojë fare këtë çështje.

Kjo më pasë na sjell në situata shumë të vështira. Sepse jurisprudenca kushtetuese që ne kemi ndërtuar në Kosovë dhe praktikisht kushtetuta që kemi, Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat të trajtojë substancën e marrëveshjeve ndërkombëtare. Pra, marrëveshjet ndërkombëtarë janë mbi Kushtetutën e Kosovës dhe si e tillë Gjykata Kushtetuese nuk lëshohet në interpretim”, ka thënë ai.

Në bazë të draftit që është publikuar, ka thënë Selmanaj, Asociacioni i bën karshillëk shtetit të Kosovës.

Qeveria dhe Asociacioni janë dy institucione paralel që i bëjnë karshillëk njëra-tjetrës. Cili është balanci në mes të pushteteve? Cili është balanci i kushtetutshmërisë në Kosovë? Është një abritrazh? Kush është ky arbitër? Pra, krejt këto e demolojnë sistemin kushtetuese që e kemi ndërtuar, e demolojnë sistemin institucional që ne e kemi bë”, është shprehur ai, duke shtuar se kjo është vetëm një fazë kalimtare. “Këtë e shoh vetëm si fazë të parë për realizimin e një autonomie territoriale dhe politike të serbëve të Kosovës. Dhe mes pas, me bindje e them, se kjo nuk do të ndalet me kaq, por do të shkoj në defunksionalizimin e plotë të shtetit të Kosovës. Mendoj se është koha kur duhet të ulemi të gjithë për të biseduar seriozisht për ta ndalë këtë rrugë që kryeministri e ka nisur”, është shprehur ai.

Më tej, Selmanaj ka thënë se ky proces edhe mund të ndalet, por pasojat për Kosovën do të jenë të mëdha.

Në aspektin politik është e mundur që proceset të tilla të ndalen, por problemi është i pasojave që do të jenë. Cilat do të janë pasojat për Kosovën nëse ndalet ky proces?”, ka vlerësuar Selmanaj.

Iniciativa e presidentes e vonshme

Deputeti Selmaj ka komentuar edhe paralajmërimin e presidentes Vjosa Osmani për thirrjen e partive politike në një takim, për të diskutuar çështjen e draftit të Asociacionit.

Ai ka thënë se kjo iniciativë shumë e vonshme e presidentes Osmani.

Ky është verim të cilin besoj e ka kërkuar kryeministri Kurti, kur e din që ai vetë më nuk është faktor unifikues dhe as që mund ta ftojë dikë për të diskutuar, atëherë e shfrytëzon presidenten si instrument. Unë mendoj se është thirrje e vonshme, shumë e vonshme. Ky draft do të duhej të diskutohej shumë para marrëveshjes se Ohrit”, ka thënë ai.

Selmanaj ka vlerësuar se një takim i tillë është dashur të mbahet shumë më herët.

Gjithçka do të duhej të ishte më transparente, gjithçka do të duhej të ishte në diskutim të brendshme me partitë politike opozitare. Por, jo ti të merresh vesh për gjithçka dhe në fund t`i thërrasësh të tjerët për konsensus. Mendoj se nuk duhet të këtë konsensus për punë të këqija për Kosovën, nuk duhet të këtë konsensus për shkatërrim të sistemit kushtetues të Kosovës, nuk duhet të këtë konsensus për shkatërrim të shtetit të Kosovës. Këtë e kam bindje”, ka deklaruar ai.

Deputeti i LDK-së ka kritikuar ashpër presidenten Osmani.

Sipas tij, ajo është bërë instrument politik i kryeministrit Kurti.

Spektatore. Jo vetëm në procesin e dialogut, por në çdo proces të rëndësishëm në Kosovë presidentja e vendit ka qenë një spektatore ose një instrument politik i kryeministri Kurti. Sa herë i është dashtë ati, fatkeqësisht presidentja i është venë në shërbim të kryeministrit. E kemi parë rastin me dialogun, e kemi parë rastin edhe me kryeprokurorin e shtetit”, është shprehur Selmanaj.

Intervista e plotë me deputetin Driton Selmanaj do të publikohet së shpejti në kanalin e Gazetës Nacionale në Youtube.