Deklaratën për rritje të tensioneve me Serbinë që mund të qojë në një luftë të mundshme, të cilën e bëri në një intervistë për “La Repubblica,” kryeministri Kurti e ka ripërsëritur në një tjetër intervistë, kësaj radhe dhënë për “Reuters”.
Sipas shefit të qeverisë, Albin Kurti, Kosova është e përgatitur të përballojë një sulm të mundshëm nga Serbia pasi përkeqësimi i situatës me minoritetin serb në Kosovë mund të rezultojë në një konflikt të ri të armatosur.
Pacolli: Kosova nuk guxon të bëjë asnjë hap me Serbinë pa u koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare
“Nuk duhet ta neglizhojmë faktin se këto politika agresive të Beogradit, në një mënyrë apo në tjetrën, mund të shndërrohen në një sulm ndaj Kosovës. Jemi vigjilentë, por nuk kemi frikë”, tha Kryeministri për Reuters, transmeton Reporteri.
“Nuk po them se ata do të na sulmojnë këtë javë apo javën e ardhshme, mirëpo do të ishte plotësisht e papërgjegjshme nga ana jonë që ta përjashtojmë mundësinë për rritje të tensioneve dhe konfliktit.”
Përkundër kësaj, Kurti ka kritikuar edhe Rusinë, shtet miqësor i Serbisë, duke thënë se mund të jetë një nga faktorët e përkeqësimit të gjendjes në veri të Kosovës.
“Presidenti despotik rus, Vladimir Putin është një njeri i luftës dhe ai ka interes të përhapë luftën sepse dëshiron që ta normalizojë atë”, tha Kurti për Reuters, duke aluduar për pushtimin e Rusisë në Ukrainë në shkurt.