Policia i kap në flagrancë dy të miturit që kryen vjedhje në një xhami në Suharekë, Prokurori i liron

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që shpëtojnë nga prangat e Policisë, por ndodhë që edhe kapen në flagrancë.

Kështu ka ndodhur së fundmi në Suharekë, ku dy persona u ndaluan nga Policia, në fshatin Mushtisht dhe pas kontrollit, iu gjet një pajisje e punës, që dyshohet se e kishin vjedhur.

Siç mëson Sinjali, bëhet fjalë për dy të mitur, të cilët fillimisht tentuan të ikin nga zyrtarët policorë, por më pas u kapën.

Dy të miturit dyshohet se kanë pasur për qëllim shitjen e pajisjes që e vodhën në xhaminë e fshatit Gjinoc.

Pas arrestimit dhe shoqërimit në stacion policor, dy të miturit janë intervistuar lidhur me rastin, me ç’rast kanë dhënë deklaratat e tyre.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit nuk ka marrë vendim për ndalim dhe të njëjtit i ka liruar, duke iniciuar rastin për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.