“Braktisja e fesë” mban takimin e dytë: Segmente të myslimanizmit dhe ortodoksizmit serb janë të rrezikshme

Dje është mbajtur mbledhja e dytë e grupit të qytetarëve që kanë marrë një nismë për “braktisjen e fesë ”. Në takimin e mbajtur të premten ka folur Vesel Lekaj, duke thënë se mbledhja e parë në Deçan ka qenë mbledhje e vullnetit të lirë.

Sipas Lekajt, nisma për braktisje të fesë është origjinale që “del nga nevojat e popullit” dhe “jo nga faktorë të tjerë”

“Ajo frymë, aso nismë ishte krejtësisht e re dhe autoktone, origjinale, që del nga nevojat e këtij populli, nuk del prej faktorëve të tjerë”, ka thënë Lekaj në fjalën e tij.

Tutje në fjalën e tij, Lekaj ka përmendur tri pikat kryesore të deklaratës së Deçanit duke thënë se në dy të parat bëhet fjalë për segmente të caktuara të ortodoksizmit serb dhe të myslimanizmit që sipas tij “rrezikojnë identitetin shqiptar”.

“Deklarata në parim: Me vullnetin tonë të lirë, ka largim nga feja myslimane, s’ka dilemë ktu, largim nga feja myslimane. I kemi konsideruar dy ekstreme fetare, që rrezikojnë fizikisht por edhe si identiteti popullin shqiptar. Ortodoksizmin serb, domethënë segmente të ndryshme dhe në myslimanizëm. Në këto dy fe, kemi konsideru që segmente të caktuara janë tepër të dëmshme për popullin shqiptar”, ka thënë tutje Lekaj.

Si pikë e tretë të deklaratës, ai përmend thirrjen për kthim tek feja katolike.

“Ne respektojmë cdo vullnet të lirë, dhe kryesisht ishte përcaktim për rikthim pa humbur kohë në fenë katolike, ku të përët e tyre kanë qenë në një periudhë jo shumë të largët”, ka shtuar ai.

Në fund Lekaj në fjalën e tij thotë se kjo nismë s’ka ngjyra politike.