“Meritë e Qeverisë Kurti janë sanksionet, jo liberalizmi”: Kurti kritikohet për marrje të meritave për heqjen e vizave

Pretendimi i kryeministrit Albin Kurti për t`i marrë meritat për procesin e liberalizmit të vizave, i cili ka filluar të zbatohet dje, ka nxitur reagime të shumta.

Përfaqësuesit e partive opozitare dhe njohësit e rrethanave politike në vend kanë mohuar pretendimet e kryeministrit, raporton Nacionale.

Ata kanë bërë me dije se meritë e Qeverisë Kurti janë vetëm masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiir, ka thënë se e vërtetat është se liberalizimi i vizave nuk ka asgjë të bëj me këtë qeveri.

Kryeministri Kurti po pretendon merita për liberalizim. Madje këtë ia atribuon edhe rolit të ministrisë së punëve të jashtme dhe diasporës. E vërteta është që liberalizimi nuk ka asgjë të bëjë me këtë qeveri. Merita e vetme e kësaj qeverie janë sanksionet, të cilat për fatin e mirë të qytetarëve të vendit, ndonëse i përfolën, nuk i përfshinë në pako të sanksioneve mbajtjen e vizave si ndëshkim. Në fakt kjo qeveri ka merita, i kanë të gjitha meritat për sanksionet në fuqi!”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Të njëjtën gjë e mendon edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti.

Duke ironizuar me deklaratën e kryeministrit, ai ka thënë se Qeveria Kurti i ka premtuar masat ndëshkuese të BE-së, por i ka realizuar.

Nuk i premtuan, por i realizuan! Kosova nën sanksione ndërkombëtare të miqve dhe të aleatëve tradicionalë, perëndimorë. Për herë të parë në historinë e vet në kohën e Qeverisë Kurti. Nisën më 2023, vazhdojnë më 2024. Dëmet qindra milionë euro deri tani”, ka shkruar Hamiti.

Kurse, analisti politik Milazim Krasniqi ka thënë se kryeministrin Albin Kurti kur ishte në opozitë kishte penguar këtë proces.

Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se nuk është fer të lavdërohet ata që e kanë penguar këtë proces.

Nuk po kam dëshirë të bëj komente politike, vërtet. Ama duhet të thuhet e vërteta se liberalizimin e vizave e kanë penguar LVV e AAK në vitet 2014 e 2015, për demarkacionin dhe Asociacionin. Njerëzit harrojnë edhe me i pi ilaçet e lëre më që harrojnë kush çka ka vepruar atëherë. Mirë që ndodhi tash liberalizimi, ama nuk është fer të lavdërohen ata që e kanë vonuar. Bile pak asht edhe marre. Po meqë “marrja nuk e ka mbytë kerkan”, grahni me manipulime”, ka shkruar Krasniqi.

Çka tha Kurti?

Për të shënuar ditën kur filloi zbatimi i procesit të liberalizimit të vizave, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kishte dal edhe kryeministri Albin Kurti për të përcjell qytetarët e parë që po lëvizin pa viza.

Aty ai tha që liberalizimi i vizave nuk u premtuar nga Qeveria e tij, por u realizuar.

Nuk e premtuam, por e realizuam. Liberalizimi i vizave u jetësua sot. Tashmë do jemi më pranë njëri-tjetrit, edhe me diasporën tonë, për të ndarë së bashku momentet më të rëndësishme në jetët tona. Nuk do privohemi më nga mundësitë që na paraqiten në art, edukim, sport, kulturë e fusha të tjera. Po forcohet edhe pasaporta e Republikës sonë, si forcim i identitetit dhe dinjitetit tonë si shtet në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Kurti.

Në adresimin e tij, ai kishte porositur kosovarët që kurrë mos të harrojnë së Kosova është shtëpia e tyre.

Për të shënuar këtë arritje të rëndësishme, bashkë me zëvendëskryeministren, njëherësh ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz, përcollëm fluturimin e parë nga Prishtina, pa viza, drejt qytetit të bukur të Vjenës. Janë gjithsej 50 qytetarë, të cilët e fituan këtë mundësi në kuadër të fushatës sonë informuese. E këtë të drejtë të fituar me vështirësi duhet ta gëzojmë me përgjegjësi. Të respektojmë kërkesat e kriteret sepse kështu respektojmë dhe lartësojmë shtetin. Kudo që të udhëtojmë, le të kujtojmë e kurrë mos harrojmë se shtëpia jonë është Kosova”, kishte thënë Kurti.