Ymeri: Nuk do të ketë rezultate “spektakolare”

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të marrë dinamikë të re gjatë vitit 2024. Zbatimi i marrëveshjes mes të dyja vendeve to të jetë tema kryesore e vitit dhe se përbrenda kësaj, temë kryesore për Kosovën do të jetë zbatimi i Asociacionit.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri, ka thënë për Front Online se shenjat e para të zbatimit të marrëveshjes tashmë kanë filluar.

“Shenjat e para të fillimit të zbatimit të marrëveshjes tashmë i kemi parë: prej zbatimit të marrëveshjes së kamotshme për targat e deri te fillimi i zbatimit të marrëveshjes, po ashtu të kamotshme, për energjinë. Në deklarimin e fundit për këtë gjë zv. kryeministri Besnik Bislimi ka dhënë disa indikacione të asaj se si do të jetë plani i balancuar i sekuencimit të zbatimit për të cilën ka insistuar gjatë qeveria e Kosovës”, është shprehur Ymeri.

E, sa i përket zbatimit të marrëveshjes, Ymeri thotë se kjo gjë ka ndryshuar që nga takimi i tetorit të vitit të kaluar kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq u takuan me tre liderët evropian.

“Prej takimit të tetorit në Bruksel ku edhe kryeministri Kurti edhe presidenti i Serbisë Vuçiq u takuan me tre liderët kryesor evropian, gjërat kanë ndryshuar dukshëm në drejtim të zbatimit të marrëveshjes. Zbatimi do të jetë tema kryesore e vitit, e përbrenda kësaj teme të madhe zbatimi i Asociacionit do të jetë tema kryesore për Kosovën”, ka thënë ai.

tutje ai ka shtuar se kohëve të fundit janë shtuar zërat për zgjedhje të parakohshme, madje, po thuhet që njëra ndër pikat që ndoshta mund ta dërgojë vendin në zgjedhje parlamentare mund të jetë tema e Asociacionit.

Drejtori i Institutit për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’ thorë se zgjedhjet mund të jenë mjeti përmes të cilit kryeministri Kurti dhe Vetëvendosje synojnë ta ndajnë përgjegjësinë për zbatimin e marrëveshjes.

“Nëse do të shkojmë në zgjedhje ose jo për shkak të dialogut do të varet shumë prej dinamikës së dialogut. Nëse gjasat janë të mëdha që marrëveshja të zbatohet shpejt (pra në gjysmën e parë të vitit) atëherë nuk mendoj se Kosova do të ketë mundësi të shkuarjes në zgjedhje sepse kjo do t’i shtynte afatet e zbatimit”, është shprehur ai.

Ymeri tutje ka potencuar se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë rezultate spektakulare siç ka ndodhur në vitin 2021.

“Pastaj cili do të kishte me qenë pozicioni i VV-së karshi Asociacionit dhe Marrëveshjes në rast të zgjedhjeve? Se janë kundër? Kjo nuk ka kuptim. Prandaj nuk mendoj që këtë radhë do të kemi rezultate spektakulare në zgjedhje sikur ato të vitit 2021. Është situatë krejt tjetër që nuk ka përngjasim me atë kohë”, ka deklaruar ndër të tjera Ymeri.