Vazhdon moszbatimi i Ligjit kundër pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura

Akoma është duke vazhduar moszbatimi i Ligjit për kontrollen kundër duhanit, ku sipas tij ndalohet pirja e tij në ambiente të mbyllura.

Sipas opinionit të disa qytetarëve, problemi është zingjiror: nga mungesa e vetëdijësimit të qytetareëve e deri tek mungesa e mbikqyrjes së zbatimit të tij nga ana e institucioneve.

Ani pse është bërë një dekadë prej se ka hyrë në fuqi ligji i cili ndalon pirjen e duhanit në ambiente të mbyllura në vende publike që ka për qëllim edhe mbrojtjen e shëndetit publik, ai po vazhdon të mos zbatohet…

Doktor Faik Hoti nga Departamenti i Epidemiologjisë, në një përgjigje për RTK-në, tha se ka shkelje ekstreme të ligjit, pavarësisht faktit se duhan-pirja në Kosovë pas miratimit të këtij ligji ka shënuar rënie nga 28.4% në 25.7% .

Nga Analiza e IKSHP-se e vitit 2020 janë evidentuar dy fusha ku ka shkelje ekstreme të ligjit: konsumimi i duhanit në hapësira të brendshme, kryesisht në gastronomi (kafe-bare) dhe reklamimi i duhanit në pikat e shitjes.

Tutje Hoti ka theksuar se konsumimi i duhanit në hapësira të mbyllura, përveç se është shkelje e ligjit dhe rrjedhimisht edhe e të drejtave të qytetarëve, është në të njëjtën kohë edhe dëshmi se institucionet përgjegjëse nuk janë duke e kryer punën e tyre ne raport me këtë ligj dhe kjo praktikë duhet të ndryshojë.

Qytetarët kanë ankesa për moszbatim të këtij ligji derisa thonë se mungon edhe vetëdijesimi qytetar.

” Në fillim pjesërisht zbatohej.. kjo nuk i falet organeve shtetërore të kenë përgjegjësi pse me leju me u helmu qytetarët.. njerëzit kanë nevojë të pinë një kafe në mënyrë të qetë jo në ambiente të papastërta që e shkatërrojnë shëndetin e qytetarëve pastaj kushton për me u sheru”, shprehet një qytetarë.

” Të gjitha lokalet nuk e respektojnë ligjin për kontrollin e duhanit, kontrolle nuk ka, ka mungesë të kontrollit më shumë aspekte përkitazi me duhanin po flas që është dëm i madh për popullin, sidomos për ata që konsumojnë në mënyrë pasive ,populli ynë nuk po don me u eduku, me e pranu ligjin”, thotë një qytetarë tjetër.

“Jashtë qendrës së Prishtinës e kam vërejt, jashtë lokaleve që frekuentohen nga inspektorët pak më larg se qendra e Prishtinës të gjitha lokalet në të gjitha lokalet pihet duhanin. Përderisa nuk ka vetëdijesim, përderisa pronarët e lokaleve , përderisa vet duhan pirësit nuk janë të vetëdijshëm që po i dëmtojnë  ata që nuk pinë duhan, atëherë përgjegjësia bie tek institucionet, tek qeverisja lokale”, thonë qytetarët.