MPJ del me detaje se si po trajtohet ish-ushtari i UÇK-së në burgun e Beogradit

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka dalë me njoftim lidhur me rastin e arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj, ditë më parë derisa ka provuar të hyjë në Serbi përmes pikës kufitare në Merdarë.

MPJ ka thënë se kreu i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd e ka vizituar Dakajn në qendrën e Paraburgimit në Beograd ku ai po mbahet.

Ministria e Jashtme në komunikatë potencon se gjatë vizitës që i është bërë sot më 10 janar, Dakaj e ka konfirmuar po akuzohet nga Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit për gjoja krime të luftës kundër popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë.

Lidhur me trajtimin e tij në burg, MPJ tregon se vetë Dakaj ka treguar se s’ka përjetuar ndonjë dhunë fizike apo formë tjetër të maltretimit, ndërkohë që i është lejuar të kontaktojë familjen e tij në telefon.