Haziri: Kurti nuk mund t’i ikën Asociacionit me zgjedhje

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në një intervistë për Ekonomia Online nuk e ka përjashtuar mundësinë që kryeministri Albin Kurti ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, gjatë këtij viti, në përpjekje për t’i ikur përgjegjësisë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Por, Haziri thotë se Kurti nuk mund të amnistohet me zgjedhje nga obligimet ndërkombëtare që i ka marrë përsipër. “Ia kanë bërë të qartë BE-ja dhe ShBA-ja”.

“Edhe Serbia a i mbajti zgjedhjet më 17 dhjetor, por u dashtë që marrëveshjet për targat dhe për energjinë t’i përfundojë. Edhe z. Kurti nuk ka amnistim. Mundet me shku në zgjedhje, me kamuflu ose me i ikë përgjegjësisë; zgjedhjet do të mbahen, por obligimet do t’i shkojnë atij. Nëse ai nuk i merr obligimet, obligimet i mbesin Kosovës”, thekson nënkryetari i LDK-së.

“LDK-ja në asnjë mënyrë nuk mundet me u bë pjesë e diçkaje që zotëri Kurti tash e tri vjet ka sharruar politikisht deri në fund të pusit me obligimet që nuk i mbajtur”, shprehet Haziri, i pyetur nëse kjo parti ka “vija të kuqe” për një koalicion eventual qeverisës me Vetëvendosjen.

Mospërmbushja e obligimeve ndërkombëtare nga kryeministri, sipas Hazirit, ka bërë që ndërmjetësit ndërkombëtarë të dizajnojnë një draft-statut dhe një marrëveshje të dëmshme, ku përmendet edhe Rezoluta 1244. “Neni 2 nuk e paragjykon statusin e politik të Kosovës dhe i vetmi kryeministër mos të paragjykojë statusin e republikës së vet është ky”.

Për të përshkruar situatën e keqe, ish-kryetari i Gjilanit përdorë një thënie që përdoret në Anamoravë. “Populli e quan ‘rrotë përmbi stupc’”.

“Kjo Qeveri ka shkaktuar raporte të tensionuara me BE-në, është në masa ndëshkuese, ka raporte tensionuese me NATO-n. Ju e dini se NATO i ka marrë disa nga kompetencat e sigurisë dhe i ka kthyer mbrapa, pa i pyetur fare. E kanë thirrë presidenten në takim dhe i kanë tregu. Ka raporte të tensionuara me Shtëpinë e Bardhë edhe me Departamentin e Shtetit. Kanë raporte të tensionuara me të gjithë kryeministrat e rajonit… sepse Kurti shkon dhe e mbështetë opozitën atje”.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike thotë se Qeveria Kurti nuk ka merita për liberalizimin e vizave, as për njohjen e pasaportave nga ana e Spanjës, as për marrëveshjen e energjisë.

Ai shtoi se  kjo Qeveri ka dëshpëruar njerëzit, sepse ka nxitur shpresa të mëdha e pritje të mëdha dhe mandej këto shpresa, shkaktojnë dëshpërim të madh. Janë vetëm muajt e parë të dëshpërimit”.