Mbledhjet e qeverive “të pezulluara” – Hasani e Gërvalla flasin për zbatim të marrëveshjeve

Në qershor të vitit të kaluar, kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi se njëanshëm ka anuluar mbledhjen e përbashkët të qeverive Kosovë-Shqipëri e planifikuar të mbahet në Gjakovë.

Derisa në Kosovë u bënë edhe përgatitjet e fundit, Rama e njoftoi homologun e tij Albin Kurti një ditë më herët për vendimin e tij, të cilin tha se e kishte marrë “në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike” për shkak të tensioneve në veri të vendit. Që nga kjo kohë mbledhjet, që u bënë të zakonshme, janë ‘pezulluar’.

Në vizitën e tij të parë zyrtare në Prishtinë, ministri i Jashtëm shqiptar, Igli Hasani, tha se me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla, kanë folur për zbatimin e marrëveshjeve që u nënshkruan pa mbledhje të përbashkët, por nuk përmendi takim të ardhshëm.

“Me Donikën po ashtu diskutuam për zbatimin e detyrimeve që lindin nga marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, por edhe për bashkëpunimin e mëtejshëm për lehtësimin e lëvizjeve të qytetarëve dhe mallrave”, tha ai në një konferencë të përbashkët me Gërvallën.

Kosova dhe Shqipëria kishin nënshkruar në korrik 13 marrëveshjet e dy qeverive që duhej të ishin firmosur më 14 qershor.