Paralajmëron Trajkoviq: Shpërthimi i bombës në veri, mesazh për serbët se mund t’u ndodhë si Ivanoviqit

Politikania serbe, Rada Trajkoviq ka thënë se shpërthimi i mbrëmshëm në Mitrovicën e Veriut është mesazh për serbët në veri se mund të pësojnë njëjtë si Oliver Ivanoviqi, që u vra gjashtë vjet më parë.

Të hënën në mbrëmje, dy persona pësuan lëndime në Mitrovicë të Veriut si pasojë e një shpërthimi të një granate dore në afërsi të një hoteli.

“Ky në fakt është mesazhi”, ka thënë ajo duke shtuar se kur shteti nuk punon për sigurinë e qytetarëve dhe “i lejon pjesëmarrësit në organizimin e vrasjes së Ivanoviqit të dominojnë, ky lajm s’përbën befasi”. “Ky është mesazh, mbi të gjitha, për serbët e veriut të Kosovës: Ne jemi këtu! Nëse nuk jeni besnikë, do të përfundoni si Oliveri”, ka shtuar Trajkoviq.

Në një intervistë për “N1”, Trajkoviq ka kujtuar se Radoiçiqi e Veselinoviq janë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa ka përsëritur se janë të lidhur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe si biznesmenë janë bërë milionerë.