Presidentja Osmani paralajmëron njohje të reja të Kosovës

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka paralajmëruar lajme të mira për Kosovën drejt njohjeve të reja.

Osmani ka thënë se ka shtete që së shpejti pritet të ndërmarrin hapa në këtë drejtim, pa specifikuar se për kë bëhet fjalë.

“Në fakt ky vit ka nisur me një sërë lajmesh të mira për Kosovën, nga heqja e regjimit të vizave me BE e deri te konfirmimi nga Departamenti i Shtetit të kërkesës së Kosovës për blerje të sistemeve të armëve mbrojtëse. Për shumë punë që bëjmë intenzivisht, rezultatet shihen tek më vonë. Por, përveç shumë kontakteve me shtete jonjohëse, kemi arritur suksesshëm të rikonfirmojmë gati të gjitha shtetet që u patën deklaruar për gjoja çnjohje, e të ndërtojmë aleanca të reja me shtetet që së shpejti pritet marrin vendimin për njohje”, ka thënë Osmani në intervistën për Reporteri.

Ajo foli edhe për proceset integruese të Kosovës, teksa tha se aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës është në rrugë të mirë dhe se janë bërë hapa me shtetet anëtare në këtë drejtim.

Osmani ka shtuar se marrë parasysh sfidat me të cilat përballet shteti ynë i i gjithë rajoni, anëtarësimi në NATO duhet të mbetet prioriteti numër një.

“Aplikimi ynë për anëtarësim në Këshillin e Evropës është në rrugë të mirë sepse tani, si rezultat i punës që kemi bërë me shtetet anëtare, ka kaluar me sukses faza e parë drejt anëtarësimit, kurse tani aplikacioni do të trajtohet në Asamblenë Parlamentare, para se të shkojë për votën përfundimtare të anëtarësimit në Komitetin e Ministrave. Për më tepër, dorëzimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim në BE, vë në pah përkushtimin tonë të palëkundur ndaj integrimit dhe të ardhmes sonë evropiane dhe po punohet shumë me shtetet anëtare që të ecet përpara në këtë drejtim. Duke pasur parasysh sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Kosova e i gjithë rajoni ynë, jam e bindur se anëtarësimi ynë në NATO duhet të jetë prioriteti numër një. Aspiratat tona për anëtarësim në aleancën më të fuqishme ushtarake janë të vendosura, të bazuara në përkushtimin tonë për sigurinë dhe stabilitetin rajonal e global dhe po punojme me aleatët tanë në NATO që të bëhen hapa vendimtarë edhe në këtë drejtim”, është shprehur presidentja Osmani.