Procesi i shkarkimi të kryetarëve të veriut drejt fundit: Edhe Zveçani e Zubin Potoku nisin peticionin

Procesi i shkarkimit të kryetarëve të katër komunave veriore po merr formë.

Pas Mitrovicës se Veriut dhe Leposaviqit, serbët lokalë sot kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve edhe për shkarkimin e kryetarit të Zveçanit dhe atij të Zubin Potokut. Në ditën e parë të mbledhjes se nënshkrimeve është parë një interesim i madhe i serbëve për ta përkrahur peticionit.

Në mesin e atyre që po e nënshkruajnë këtë peticion janë parë edhe zyrtarë të Listës Serbe.

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, e ka vlerësuar si të padrejtë peticioni për shkarkimin e tij.

Ai ka bërë me dije se përderisa procesi i zgjedhjes së tij ka qenë demokratik, peticioni që ka filluar sot ka qenë i panevojshëm.

Unë mendoj që nuk është e drejtë aspak, domethënë deri sa kanë qenë zgjedhjet demokratike të lira dhe janë pranuar nga vendorët politika vendorë dhe nga ndërkombëtarët kështu, mirëpo prapëseprapë Qeveria ka vendosë, le të shohim vendimin”, ka thënë Peci për EO.

Ai ka bërë me dije se në ditën e parë të mbledhjes së nënshkrime është vërejtur një interesim i madh serbëve lokalë për të nënshkruar peticionin në fjalë.

Te na kanë filluar sot peticioni për rrëzimin e kryetarit të Komunës Zveçanit. Mesa po duket është një numër i interesuar i madh i cili deri më tani është duke u nënshkruar peticioni, mirëpo kanë një kohë të caktuar dhe besoj që e kanë kohën e mjaftueshme të shohim përfundimin”, është shprehur Peci.

Interesim i madh i serbëve është parë edhe në Komunën e Zubin Potok, e cila udhëhiqet nga Izmi Zeqiri.

Sërxhan Vuçiniq, një nga iniciatorët e peticionit në Zubin Potok, ka thënë se në këtë komunë shumica janë serbë dhe nuk mund të jetë kryetari shqiptar.

Ne do të përdorim të drejtën tonë demokratike për ta zëvendësuar atë. Fakti është se kryetari aktual është zgjedhur me disa qindra vota dhe nuk mund të na përfaqësojë”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

Ndërsa, në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq ky proces po shkon drejt fundit.

Atje organizatorët e peticionit, që ka filluar më 17 janar, pretendojnë se kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme për largimin e kryetarëve.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Nexhat Ugljanin, ka bërë me dije se serbët kanë arritur të mbledhin numrin e nevojshëm të nënshkrimeve për shkarkimin e kryetari aktual të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

Ai ka bërë me dije se shumë shpejt iniciativa e serbëve do ta dorëzon peticionin me nënshkrime te institucionet kompetente.

Kanë arritur numrin e duhur sipas informatave që i kemi nga terreni edhe nesër do të mbledhin deri në pasdite edhe sigurisht që do të dorëzojnë mas pari në Mitrovicën e Veriut, por edhe në Leposaviq peticionin. Sipas informatave, në mënyrë të organizuar dje ka shkuar procesi, kurse tani përmes kritikave që i kemi dhënë përmes mediave që janë detyruar e kërcënuar që institucionalisht që të dalin në peticion. Sot e kanë ndërruar mënyrën e daljes edhe janë dalë nëpër grupe të caktuar 3 deri në 4 persona”, ka thënë Ugljani për televizionin TËVË1.

Opozita kritikon qeverinë për peticionin

Nga fillimi i realizimit të peticionit për largimin e kryetarëve të komunave veriore, opozita e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës.

Sekretari i PDK-së, Betim Gjishi, ka bërë me dije se ky proces tregon se kryeministri Albin Kurti është në koordinim me Listën Serbe dhe Beogradin.

Fotografitë nga Mitrovica e Veriut, ku qytetarëve serbë të cilët po nënshkruajnë peticionin po u prijnë Goran Rakiqi e Igor Simiqi, janë dëshmi e qartë se gjithçka është në koordinim të plotë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Do të mbahet mend përgjithmonë, se ky proces është i dirigjuar nga Beogradi dhe ka aprovimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, partia e të cilit është zënë duke u koordinuar në prapaskenë me Listën Serbe e superkriminelin Milan Radojçiq. Kryeministër, nuk ka nevojë as për pyetje dhe as për sqarime. Gjithçka po duket e qartë si kristali: Ju jeni në koordinim me Beogradin dhe Listën Serbe”, ka shkruar Gjoshi në profilin e tij në “Facebook”.

Kjo rrugë e largimit të kryetarëve është kritikuar edhe nga ish-kyenegociatorja e Kosovës për dialogun me Serbinë, Edita Tahiri.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se ky është një poshtërim që Kurti po ua bën katër kryetarëve të veriut.

Poshtërimi i kryetarëve te komunave në veri përmes peticionit të serbëve – në fillim Kurti ua krijoi iluzionet tash poshtërimin…”, ka shkruar Tahiri.

Sipas udhëzimit administrativ mbi të cilin po organizohet ky peticion, afati i mbledhjes së nënshkrimeve për shkarkim të kryetarëve në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut e Zubin-Potok përfundon më 22 janar.

Ndërsa, në Komunën e Zveçanit ky afat përfundon më 27 janar.

Në mënyrë që peticioni të jetë i suksesshëm, udhëzimi administrativ kërkon që të mblidhen së paku 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar.