Biden përmend Ballkanin kur flet për rëndësinë e ndihmës për Ukrainën

Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka përmendur Ballkanin dhe rrezikun që i kanoset në rast se Shtetet e Bashkuara nuk vazhdojnë të dërgojnë ndihmë për Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin rus, prej shkurtit të vitit 2022.

Duke folur pas një konference me kryetarë të shteteve amerikane, më 19 janar, Biden e ka përmendur pozitën e fuqishme të Shteteve të Bashkuara në botë, dhe për sfidat me të cilat po përballen vendet tjera.

“Nëse ne ndalemi, dhe Rusia vazhdon të luftojë dhe mposhtet Ukraina, çfarë mendoni se do të ndodhë me vendet e Ballkanit? Çfarë do të ndodhë me Poloninë deri te Hungaria? Seriozisht, mendoni për këtë. E ndryshon dinamikën”, ka thënë Biden, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë ndihmuar më së shumti Ukrainën, prej nisjes së luftës, aktualisht përballen me bllokadë të disa republikanëve konservatorë, të cilët kanë dalë kundër ndarjes së mëtejshme të ndihmës për këtë shtet.

Në pakon e Bidenit për ndihmë parashihen 50 miliardë dollarë për Ukrainën dhe 14 miliardë për Izraelin.

Edhe Bashkimi Evropian nuk ka arritur të ndajë fonde në vlerë të 50 miliardë dollarëve për Ukrainën, për shkak të vetos që e ka përdorur Hungaria.

Muajin e kaluar, shefja e Zyrës së SHBA-së për Buxhet, Shalanda Young, ka thënë në një letër dërguar udhëheqësit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson që, nëse ndihma ushtarake përfundon, atëherë Kievi do të gjunjëzohet ndaj pushtimit rus.