Samiti i Shkupit, zbardhet deklarata me 11 pika e gjashtë liderëve të rajonit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpalosur deklaratën e përbashkët të Liderëve të Ballkanit Perëndimor, gjatë punimeve të Samitit të BE-së në Shkup.

Deklarata përmban 11 pika dhe fokusohet kryesisht në thellimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe integrimin e shteteve në BE.

Planin e Rritjes, shtetet pjesëmarrëse në Samit e shohin si shans për të nxitur zhvillimin socio-ekonomik.

“Së bashku, si rajon, ne do të përqendrojmë përpjekjet tona në promovimin e ekonomisë rajonale, integrimin përmes Tregut të Përbashkët Rajonal bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së ndërsa, në të njëjtën kohë duke avancuar hapjen e tregut rajonal ndaj tregut të vetëm të BE-së”, thuhet në një nga pikat e deklaratës.

Ballkani Perëndimor është dakorduar për të synuar përmirësimin e integrimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe brenda rajonit.

Synimi kryesor është sjellja e rajonit në BE.