Kurti shkoi për ngushëllime te familja e Lulzim Fejzullahut: Vrasja e 18  vjeçarit duhet të jetë alarm për të gjithë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkuar sot për ngushëllime te familja e Lulzim Fejzullahut, i cili u rrah për vdekje para disa ditësh në Podujevë.

ZKM ka njoftuar se bashkë me Kurtin kanë qenë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi dhe deputetë të Kuvendit e përfaqësues komunalë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe deputetë të Kuvendit, përfaqësues komunal dhe aktivistë, gjatë ditës së sotme qëndroi për vizitë ngushëlluese të familja e të riut Lulzim Fejzullahu që të shtunën vdiq nga goditjet e rënda që mori nga dy bashkëmoshatarë të tij me 14 janar të këtij viti në Podujevë.”

Kurti ka thënë se humbja e një të riu i ka tronditur të gjithë dhe është dhimbje e madhe për vendin.

“Pasi shprehu ngushëllimet në emër të tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri tha se humbja e jetës së një të riu në mënyrë tragjike na ka tronditur të gjithëve dhe është dhembje e madhe jo vetëm për familjen e tij por edhe për mbarë vendin.”

“Të rinjtë te moshatarët e tyre duhet gjithmonë të shohim potencialin e shoqërisë dhe shoqërimit, asnjëherë të kërcënimit dhe sulmit. I ndjeri, Lulzim Fejzullahu ishte fëmijë jetim që ka pasur nevojë për mbështetje e kujdes nga të gjithë për një jetë të përmbushur. Sot, rasti i tij tragjik duhet të jetë moment reflektimi për të gjithë.”

Kurti ka thënë se vrasja e 18  vjeçarit duhet të jetë alarm për të gjithë.

Kurti u bëri thirrje organeve të sigurisë dhe drejtësisë ta trajtojnë rastin me përgjegjësinë më të lartë.