Stano i kundërpërgjigjet Kurtit: Procesi integrues i Kosovës lidhet drejtpërdrejt me dialogun

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i është kundërpërgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar se procesi integrues i Kosovës lidhet drejtpërdrejt me procesin e dialogut.

Një përgjigje e tillë vjen pasi Kurti në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Shkup, ka kërkuar që që procesi i integrimit të Kosovës për në Bashkimin Evropian të ndahet nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Politika e BE-së ka qenë e qartë me vite. Rruga evropiane për Kosovën dhe Serbinë, lëvizë nëpërmjet dialogut të normalizimit.Pa normalizim nuk ka aderim në BE. Nga parimet themelore të aderimit në BE, jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por të gjithë, për vendet që janë anëtare tash, për Kroacinë dhe Slloveninë më parë, për Hungarinë dhe Sllovakinë më parë, parimi themelor është pajtimi, marrëdhëniet e mira fqinjësore, dhe zgjidhja e të gjitha problemeve nga e kaluara, që mos t’i sjellim në BE”, ka thënë Stano.